Përzgjedhësi i Belgjikës, Roberto Martinez ka qenë njëri prej kandidatëve që janë përmendur për të pasuar Julen Lopeteguin e shkarkuar në stolin e Real Madridit, por 45 vjeçari nuk ka dashur të prononcohet rreth kësaj teme.
Martinez ka insistuar të fokusohet te ndeshjet e këtij muaji që Belgjika i zhvillon ndaj Zvicrës dhe Islandës teksa nuk ka i ka komentuar pyetjet nëse është takuar me drejtues të “Los Blancos”.
“Nuk dua të them nëse unë apo agjenti im kemi kontaktuar me Real Madridin. Kjo nuk ka rëndësi dhe do të ishte mungesë respekti në prag të ndeshjeve me Zvicrën dhe Islandën. Unë nuk dua të flas për gjëra tjera përveç këtyre dy ndeshjeve. Tashmë e kam thënë në dy gjuhë, a më duhet ta këndojë edhe një këngë?”, theksoi Martinez paksa i nervozuar.
Martinez së bashku me ish trajnerin e Chelseat, Antonio Conten, kanë qenë dy emrat më të përfolur për t’u ulur në stolin e Real Madridit.
Por ditëve të fundit ka filluar të mendohet që kjo pozitë t’i besohet trajnerit të përkohëshëm të kampionëve të Europës, Santiago Solarit me këtë të fundit që i ka fituar të tre ndeshjet në drejtimin e “mbretërve” pa pranuar asnjë gol dhe duke shënuar 11 të tillë.







