Robert Moreno refuzon të tregojë arsyen e largimit nga drejtimi i kombëtarës së Spanjës

Largimi i papritur i Robert Morenos nga stoli i kombëtares spanjolle vazhdon të përbëjë lajm në gadishullin iberik.

Pas lamtumirës pa thënë as edhe një fjalë,me Federatën Spanjolle të Futbollit që vetëm një ditë më pas zyrtarizoi edhe rikthimin në stol të Luis Enriques, Robert Moreno ka dhënë një deklaratë të shkurtër paraditen e kësaj të enjteje.

Moreno megjithatë nuk dha një arsye se përse nuk do të jetë më as në stafin e Luis Enriques si zëvendës duke ia kaluar topin ish trajnerit të Barcelonës.

“Nuk dua të merrem me qortime, nuk e di se çfarë ka ndodhur. Pyesni Luis Enriquen. Nëse unë flas, kjo nuk do të ishte e mirë për mua”, u shpreh Moreno.

Luis Enrique do të prezantohet përpara mediave javën e ardhshme më datë 27 nëntor dhe ai me siguri do të thotë diçka më shumë për largimin e Robert Morenos.