Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka folur për mbledhjen e sotme të Qeverisë ku janë miratuar masat emergjente për furnizimin me rrymë.

Ajo me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se vendimi në fjalë nuk parasheh ndërmarrjen e ndonjë mase specifike, por parasheh themelimin e një Komiteti Teknik në kuadër të ministrisë që ajo drejton, e që ka për qëllim identifikimin e paraqitjes së rekomandimeve për masa, shkruan lajmi.net.

“Komiteti Teknik parashihet të përbëhet nga përfaqësues të të gjitha institucioneve relevante si Ministria e Ekonomisë (ME), Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT), Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Operatori i Sistemit të Distribucionit (KEDS), Furnizuesi i Shërbimit Univerzal (KESCO), Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), si dhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK)”, ka thënë Rizvanolli.

“Duke u bazuar në këto rekomandime, Qeveria si masë emergjente do të vendosë obligime të veçanta për ndërmarrjet e energjisë me qëllim të trajtimit të çfarëdo mungese të papritur ose afatgjatë të kapacitetit prodhues energjetik, kapacitetit të transmetimit, apo të shpërndarjes së energjisë”, ka shkruar tutje ajo.