River Plate eliminon Boca Juniorsin dhe arrin finalen e Copa Libertadores

Është River Plate skuadra e parë finaliste e Copa Libertadores 2019, finale që për herë të parë do të luhet me një ndeshje teke në kryeqytetin e Kilit Santiago.

Kampionët në fuqi të këtij kompeticioni rezistuan në ndeshjen e kthimit në Bombonera në superklasiken ndaj Boca Juniors duke mbrojtur me fanatizëm fitoren 2-0 të ndeshjes së parë. Boca kishte përgatitur hakmarrjen e madhe për finalen e humbur një vit më parë por goli i vetëm i sfidës nga Hurtado në minutën e 80-të që i dha fitoren 1-0 vendasve, nuk i mjaftoi skuadrës së Gustavo Alfaros pasi në finalen e madhe të Copa Libertadores shkuan “Los Millionarios”.

As entuziazmi i madh i tifozëve nuk i mjaftoi Boca Juniors për të përmbysur humbjen 2-0 të ndeshjes së parë dhe të prekur ëndrrën. Një tjetër triumf personal i trajnerit të Riverit Marcelo Gallardo të cilët nën drejtimin e tij e kanë eliminuar Bocën në tre raste në Copa Sudamericana 2014, Copa Libertadores 2015 dhe 2019, ndërkohë që e kanë mposhtur në finalet e Superkupës argjentinase dhe Copa Libertadores të vitit 2018.

Në finale River Plate do të ketë përballë fituesin e çiftit brazilian mes Flamengos dhe Gremios me ndeshjen e parë që ka përfunduar në barazim 1-1.

loading…