River-Boca në Bernabeu, përcaktohen kushtet për tifozeritë

Sfida e shumëpritur mes River Plate dhe Boca Juniors, e cila tashmë do të luhet zyrtarisht në “Santiago Bernabeu” të Madridit më 9 dhjetor, në orën 20:30, do të jetë e hapur për tifozëritë e të dy skuadrave.

Pavarësisht incidenteve të ndodhura në “Monumental” përpara ndeshjes një javë më parë, është vendosur që tifozët e River dhe Bocas do të jenë prezentë në stadium, por do të ketë disa kushte.

Sipas mediave spanjolle, do të jepen 5000 bileta për secilën nga tifozeritë, ndërkohë 50.000 të tjera do të vihen në dispozicion të komunitetit argjentinas që jeton në Madrid, që numëron rreth 100.000 persona.

Përkundër se kush do të jetë në stadium, që nga mbështetësit më të zjarrtë, apo njerëz të thjeshtë të apasionuar pas futbollit, gjatë gjithë ditës së takimit do të merren masa sigurie në të gjithë qytetin, në mënyrë që të mos ketë probleme.

Atë ditë, gjithashtu, asnjëra nga skuadrat e Madridit nuk do të luajë. Atletico do të përballet të shtunën në orën 13, në “Wanda Metropolitano”, kundër Alaves, dhe normalisht Reali, i cili zotëron “Bernabeun”, do të luajë në fushën e Huescas.

Në stadium atë ditë mund të jetë edhe një njeri shumë i veçantë për tifozët e River Plate. Bëhet fjalë për Diego Simeonen. “El Cholo”, pavarësisht se nuk ka luajtur ndonjëherë me “Milionerët”, ka drejtuar para shumë vitesh skuadrën, duke e udhëhequr drejt fitimit të kampionatit në vitin 2008.