Rita Ora befason të rinjtë në “Pjetër Bogdani”

UNICEF ka sjellë sot për të rinjtë e vendit këngëtaren me famë botërore Rita Ora.

Gjatë panelit në kuadër të ngjarjes “Activate Talks” të UNICEF-it, këngëtarja Ora është paraqitur në skenë, nga ku u shpreh e lumtur që gjendet mes të rinjve të vendit nga ajo vjen, duke ofruar mbështetje për të rinjtë, për çka tha se ndihet krenare.

Ndonëse me famë botërore, Rita Ora u tregua modeste kur para të pranishmëve e nisi fjalën e saj duke thënë: “Jam Rita”, teksa bëri një foto të përbashkët me audiencën në sallë.

Në kuadër të kësaj ngjarje vjetore të UNICEF-it, shumë të rinj prezantuan projektet që kanë realizuar në kuadër të programit Up-shift. Ndërsa për të inspiruar të rinjtë, aty u mbajt edhe një panel diskutimi me ambasadorë dhe përfaqësues të institucioneve vendore.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se dëshirojnë të shohin se të rinjtë udhëheqin me vendin. Për të motivuar ata se mund të bëjnë ndryshime, Apostolova kujtoi se edhe vetë vjen nga një shtet që dikur nuk ishte i zhvilluar, duke thënë se ishin pikërisht studentët ata që bënë revolucionin.

Ajo pati edhe disa porosi për të rinjtë e vendit, të cilët përveç shkollimit, sipas saj, vëmendje të madhe duhet t’i kushtojnë ruajtjes së ambientit. Ambasadori austriak, Gernot Pfandler, u shpreh se vendi i tij është e përkushtuar për një arsimim sa më cilësor në Kosovë.

Ai porositi të rinjtë e vendit që të zhvillojnë mendimin kritik, në mënyrë që të mos pranojnë gjërat e gatshme që dikush ua shërben.

Ndryshe, “Active Talks” është një ngjarje vjetore që mbledh më shumë se 400 të rinj nga e gjithë Kosova, ekspertë, përfaqësues të institucioneve dhe inovatorë të rinj, për të diskutuar dhe treguar përvojat e tyre në ndryshimin e shoqërisë për të mirë.