Rio Ferdinand: Hazard shkoi te Real Madridi në momentin e gabuar

Ish qendërmbrojtësi legjendar i Manchester Unitedit, Rio Ferdinand, shqetësohet se Eden Hazard mund t’i jetë bashkuar Real Madridit në momentin e gabuar, pasi që klubi madrilen është në rënie.

Eden Hazard ishte për herë të parë në formacionin e parë të Real Madridit në një ndeshje me karakter garues, mirëpo ai s’arriti ta lërë gjurmën e vet në atë ndeshje, pasi që Real Madridi u mposht me rezultat 3-0 nga Paris Saint-Germaini.

Hazard iu bashkua Real Madridit gjatë afatit kalimtar të verës nga Chelsea, për 100 milionë euro, mirëpo përgatitjet e tij për sezonin e ri kanë qenë të mangëta për shkak të një lëndimi.

Belgu e bëri paraqitjen e tij të parë për Real Madridin në fundjavë, kur u inkuadrua në 30 minutat e fundit të fitores me rezultat 3-2 kundër Levantes, në kuadër të La Ligës.

Por, pasi belgu nuk ishte mbresëlënës mbrëmë në Ligën e Kampionëve, Ferdinand vuri në dyshim kohën e transferimit të Hazardit në Spanjë.

“Kur ti shkon në një klub të ri, veçanërisht të madhësisë së Real Madridit, ti e fiton të drejtën të jesh njeriu që i merr të gjithë topat. Ai duhet të bëjë diçka në ndeshjet në stërvitje dhe në ndeshjet e vërteta që i luan”, ka thënë Ferdinand.

“Unë frikësohem për të sepse mund të ketë shkuar atje në momentin e gabuar. Kjo është një skuadër që po vjetërsohet, nuk po ngriten dhe nuk kanë shumë shkëlqim për momentin. Kjo do ta ndikojë atë negativisht”.

loading…