Rikthehet në detyrë sekretari i MTI-së që u përfshi në një rrahje me nipin e Jakup Krasniqit në objektin e ministrisë

Shtatë muaj më parë nipi i Jakup Krasniqit, Arian Krasniqi dyshohet se e kishte sulmuar sekretarin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë Burim Rrecin.

Rastin për Gazetën Sinjali e kishte konfirmuar edhe Polica e Kosovës, duke e cilësuar rastin si sulm ndaj personit zyrtar në objektin e ministrisë.

Rreci ishte shkarkuar nga Qeveria Kurti për shkak të riorganizimit të ministrive, por ai është rikthyer në punë gjatë mbledhjes së djeshme të Qeverisë Hoti.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi në mbledhjen e qeverisë dje propozoi që Rrecaj të riktheht në pozitë si sekretar i përgjithshëm në MTI.

“Në emër të ministrisë, për riemërimin e z.Burim Rreci në pozitën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Tregtisë, duhet të kthehet dhe të vazhdojë punën brenda mandatit ligjor. Bazuar në rregullore, për fushat e përgjegjësisë administrative, ministria është e pavarur dhe duhet të kthehet sekretari i saj pasi që pushojnë arsyet për listë tepricë për z.Burim Rrecaj. Kërkojmë me mirësjellje që këtë vendim ta shqyrtoni dhe votoni në këtë mbledhje të Qeverisë”, ka thënë ministri Vesel Krasniqi.

Qeveria Hoti gjatë mbledhjes së djeshme ka rikthyer në detyrë sekretarët e ministrive të shkarkuar nga Qeveria Kurti.