Rikthehet Arbër Zeneli, gati për ta ndihmuar Kosovën në ëndrrën drejt ‘Euro 2020’

Zeneli ka lënë prapa dëmtimin, ai ka zbritur në fushë në Ligue 1.

Pasi luajti për 45 minuta me ekipin e dytë të Reims, Arbër Zeneli tani është paraqitur më në fund edhe për ekipin e parë, duke i dhënë fund vuajtjeve 8 mujore.

Ai luajti më shumë se 5 minuta në barazimin që Reims e mori në udhëtim te Monaco në kuadër të xhiros së 27 në Ligue 1.

Ai u inkuadrua në lojë në minutën e 85’ në vend të Tristan Dingome, duke i dhënë fund vuajtjeve disa mujore.

Kthimi i Zenelit është një lajm i mirë për Kosovën, pasi që ai pritet të jetë i gatshëm për të luajtur në ndeshjet vendimtare të marsit, kur do të luhen ndeshjet e play-offs kualifikues për EURO 2020.

Kosova do të takohet me Maqedoninë në gjysmëfinale, ndërsa në finale e pret ose Gjeorgjia, ose Bjellorusia, gjithmonë nëse e kalon Maqedoninë.