Bayerni ka konfirmuar se sulmuesi anësor Franck Ribery është përfshirë në një rrahje me gazetarin francez Patrick Guillou, i cili e fajësoi futbollistin veteran për pësimin e dy golave në humbjen ndaj Borussia Dortmundit të shtunën.

Raportohet se Ribery e ka goditur me shuplakë gazetarin francez teksa pastaj edhe e ka shtyrë gjatë një interviste pas ndeshjes së humbur në “Der Klassiker”.

Drejtori sportiv i bavarezëve, Hasan Salihamdizc ka thënë se kjo situatë do të zgjidhet brenda klubit.

“Ribery na ka informuar se ka patur një grindje me bashkëkombasin e tij Patrick Guillou, të cilin e ka njohur mirë prej shumë vitesh. Jemi pajtuar me Guillou të diskutojmë personalisht për ta zgjidhur këtë problem, dhe ai e ka dhënë miratimin e tij”, tha Salihamdzic.

Franck Ribery ende nuk ka regjistruar asnjë gol apo asist në 14 paraqitje këtë sezon me Bayernin në të gjitha kompeticionet.

Pas derbit të fundjavës Dortmundi që është lider ka 7 pikë më shumë se Bayerni që ndodhet në pozitën e 5-të, ndërsa e ardhmja e trajnerit kroat, Niko Kovac është vënë në dyshim te kampionët e Gjermanisë.