Pas deklaratave të ashpra nga Markus Babbel për Franck Ribéry, kur e përshkroi si një dështim, lojtari francez duket se ka marrë një telefonatë nga superstari spanjoll, që e fton ta shoqërojë atë në ekipin e tij sezonin e ardhshëm.

Kështu raporton e përditshmja sportive gjermane, “Kicker”.

Ribery nuk e ka rinovuar deri më sot kontratën me Bayern Munich dhe nuk ka të ngjarë që negociatat me 35-vjeçarin ta zgjasin qëndrimin e tij në klubin gjerman, teksa kontrata e tij përfundon në qershor të këtij viti.

Kampioni i botës me Spanjën dhe legjenda e Barcelonës, Xavi Hernandez, i cili është duke luajtur në Katar, për Al-Sadd Sports Club, do ta tërheqë francezin pas vetes.

Ribery ka jetuar dhe luajtur në Mynih në 12 vitet e fundit. Sipas “Kicker”, Xavi e ka telefonuar francezin për ta bindur që të nënshkruajë me ekipin e tij sezonin e ardhshëm. Sipas këtij informacioni, Ribery është ndier i joshur nga ideja për të luajtur së bashku me Xavin në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai mendon se mund të luajë edhe dy, ose tri vite, para se ta përfundojë karrierën si futbollist.

Kuptohet, kjo mund të ndodhë në një nivel më të ulët, jo te Bayern Munich, që synon revolucionin në verë, për ta rinovuar ekipin. Eliminimi i mbrëmshëm nga Liverpool, pa shkuar dot as në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, e bën ulëritëse nevojën për ndërhyrje te bavarezët.