Ribery kërkon falje ndaj gazetarit të cilin e rrahu

Franck Ribery i ka kërkuar falje gazetarit Patrick Guillou pasi që e sulmoi në përfundim të ndeshjes derbi me Borussia Dortmundin të shtunën e kaluar.

Bayerni u mposht 3-2 nga Dortmundi pavarësisht se kishte dy herë avantazhin, ndërsa pas ndeshjes gazetari francez i tregoi Riberys gabimet që i kishte bërë në këtë ndeshje me futbollistin veteran që nuk u përmbajt duke goditur me shuplakë Guilloun.

“Kam pasur një takim me Guilloun dhe ishte mirë nga ana e tij që erdhi në Mynih. Ne folëm për një kohë të gjatë lidhur me ngjarjen pas ndeshjes me Dortmundin. Sigurisht se ajo çfarë unë bëra ishte gabim, pas ndeshjes isha shumë emocional. I kërkova falje Patrickut dhe familjes së tij dhe shpresoj që ta lëmë në të kaluarën teksa për këtë arsye ishte i rëndësishëm ky takim për të dhe për mua”, tha Ribery në një prononcim për faqen zyrtare të Bayernit.

Bayerni rradhitet në pozitën e 5-të në Bundesliga me 7 pikë më pak se Dortmundi që është lider, kurse humbja e javës së kaluar lëkundi edhe më shumë pozitat e trajnerit kroat, Niko Kovac.