Ribery dëshiron të vazhdojë me Bayernin edhe për 1 sezon

Me lamtumirën e sigurt të Robben dhe Rafinhas, të dy në prag të skadencës së kontratave respektive, francezi Franck Ribery është i vendosur të arrijë rinovimin e kontratës aktuale me Bayernin, klub në të cilin impenjohet që nga viti 2007.

“Këtu kam shpenzuar dy të tretat e karrierës time, kjo mes nesh është një histori e madhe dashurie dhe nuk dua të përfundoj,” – u shpreh 35-vjeçari francez.

Në të vërtetë, klubi gjerman është duke përjetuar një ndryshim brezash. Kampionët e Bundesligës janë të impenjuar në riorganizimin e organikës për sezonin e ardhshëm. Pas Robbenit dhe Rafinhas projektohen për t’u larguar edhe Hummels me Boateng.

Por ai që nuk ka ndërmend të heqë dorë nga fanella e kampionëve të Gjermanisë dhe duke sfiduar edhe vitet është Ribery, që kërkon më ngulm tashmë rinovimin e radhës, që nëse do të konkretizohet do të ishte i treti në tre vitet e fundit.

“I jam shumë mirënjohës këtij klubi që më pranon pa kushte. Nuk do ta tradhtoja kurrë Bayernin, duke zgjedhur një klub tjetër,” – deklaron ai.

Ribery në të vërtetë e ka treguar se pavarësisht viteve në kurriz është ende ne gjendje të luajë në të tilla nivele. Muaji dhjetor u mbyll me një bilanc prej 4 golash në tre takime të Bundesligës.

Ribery mbërriti te Bayerni në vitin 2007 dhe përgjatë viteve duket se është shkrirë më klubin dhe tifozërinë.

Polemikat nuk kanë munguar lidhur me emrin e tij, gjithsesi ai mbetet një prej ikonave të klubit gjerman.