5 alternativa për Milanin

Rezultati negativ në derbi mund të rikthejë dyshimet mbi Gattuson

Fillimi i dobët i sezonit nga Milani shtoi spekulimet mbi të ardhmen e trajnerit të rosonerëve, Gennaro Gattusos, por tre fitoret radhazi në të gjitha kompeticionet kanë qetësuar ambientin e 7 herë kampionëve të Europës.

Sidoqoftë një rezultat negativ në debin e së dielës përballë Interit mund ta komplikojë situatën e trajnerit italian.

Humbja do ta linte Milanin 7 pikë prapa rivalëve të qytetit Interin, gjë që do të rikthente presionin te Gattuso.

Milani që tashmë drejtohet nga ish lojtarët Leonardo dhe Maldini, raportohet se kanë një listë prej 5 emrave që kryesohet nga Antonio Conte.

Rikthimi i Contes në Serie A do t’i interesonte secilit top klub në kampionatin italian që përballet me mungesën e vazhdimësisë. Milani ka telashe të tilla dhe fituesi i 3 Scudettove me Juventusin ka eksperiencën dhe aftësinë taktike që e bëjnë dallimin me Gattuson. Rosonerët duhet të vendosin shpejt lidhur me një emërim të ish trajnerit të Chelseat për shkak se Conte ka ngjallur interesimin edhe të Real Madridit, të cilët synojnë ta zëvendësojnë Lopeteguin me të.

Një tjetër emër i mundshëm për të pasuar Gattuson në stolin e Milanit është Arsene Wenger. Trajneri veteran mund të gjejë te klubi italian një njohje të vjetër si Ivan Gazidis, me të cilin punoi deri sezonin e kaluar te Arsenali. Francezi gjatë javës zbuloi se ka oferta nga mbarë bota dhe se në janar synon të rikthehet në drejtimin e një skuadre.

Legjenda e Milanit, Roberto Donadoni është në mesin e opsioneve të klubit milanez por dështimi në drejtimin e kombëtares italiane dhe të Napolit i zbehin gjasat e trajnerit 55 vjeçar që së fundmi menaxhoi Bolognan.

Tingëllon utopike por në listën e Leonardos dhe Maldinit ka vend edhe për Zindedine Zidane. Pasi u shpall kampion për 3 sezone radhazi në Champions League me Real Madridin, trajneri francez vendosi të largohet nga drejtimi i mbretërve, kurse tani 18 herë kampionët e Italisë synojnë ta joshin ish lojtarin e Juventusit që t’i rikthejë në Champions League, kompeticion në të cilin mungojnë prej 5 vitesh.

Emri i fundit për të pasuar Gattuson në stolin e Milanit është tekniku i shkarkuar ditë më parë nga Monaco, Leonardo Jardim. Donnarumma, Kessie dhe Cutrone janë disa nga futbollistët e rinjë të Milanit që premtojnë të ardhme, derisa Jardim karakteristikë kryesore e ka punën me talentë, mjaftohet të kujtohet Monaco e sezonit 2016-2017, vit në të cilën klubi nga Principata i udhëhequer nga Kyliann Mbappe triumfoi në Ligue 1 duke lënë pas PSG-në e yjeve.

Gattuso ka opsion të vetëm fitoren në “Derby della Madoninna”, përndryshe rrezikon shumë të shkarkohet nga Milani.