Mbi 117 mijë euro do të shpenzohen nga buxheti i shtetit për bileta udhëtimi jashtë vendit për nevojat e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Për këtë, kjo ministri tashmë ka nënshkruar edhe një kontratë.
“Shërbime të transportit ajror për stafin e MAShTI-t”, është kontrata e nënshkruar nga MASHTI dhe operatori ekonomik “AS TRAVEL CLUB”, kompani kjo ka fituar shumicën e tenderëve nga ministritë e Qeverisë Kurti për bileta udhëtimi jashtë vendi.
Siç bëhet e ditur në dosjen e tenderit të publikuar në KRPP, MASHTI do të blejë rreth 300 bileta për udhëtime jashtë Kosovës. Ndërsa, në njoftim nuk janë bërë të ditura relacionet e këtyre udhëtimeve, shkruan Ballkani.info.

Në dosjen e tenderit tregohet se gjatë periudhës 2-vjeçare, numri i përafërt i biletave do të jetë 300 copë në destinacione të ndryshme të botës.
“Gjatë periudhës 2 vjeçare numri i përafërt i biletave do të jetë 300 copë në destinacione të ndryshme të botës. Kontrata konsiderohet e realizuar në bazë te sasive të biletave dhe jo vlerës”, thuhet në dosjen e tenderit.
Po ashtu, MASHTI ka treguar edhe disa kritere strikte që duhet t’i përmbush kompania fituese.
“Ofruesi i shërbimeve duhet të jetë në gjendje për të garantuar Shërbime 365 ditë në vit, 7 ditë në javë dhe 24 orë në ditë dhe duke ofruar emrat e personave të kontaktit, emailat dhe numrin e telefonit kjo do të jetë si kusht pas nënshkrimit të kontratës (kjo është një kërkesë e detyrueshme). Ofruesi i shërbimeve duhet të ofrojë ndihmë personave në udhëtimet zyrtare dhe t’i informojnë ata menjëherë për çdo ndryshim, anulim ose probleme me udhëtimet e tyre”, thuhet në dosjen e tenderit. /Ballkani.info/







