Deputeti i Vetëvendosjes, Valon Ramadani ka hedhur akuza në drejtim të qeverisjes lokale në Ferizaj.

Sipas tij, për shkak të keqmenaxhimit të kamotshëm në këtë komunë, dhe për shkak të gjendjes së keqe në punë në KRM “Pastërtia”, punëtorët kanë hyrë në grevë.

Sipas deputetit Ramadani, kjo nuk është hera e parë që punëtorët e kësaj kompanie po hyjnë në grevë.

Valon Ramadani, i ka bërë thirrje Komunës që “me patjetër duhet sa më parë të veprojë për të gjetur zgjidhje që mbeturinat disa javëshe të palarguara në shumicën e fshatrave”.

Postimi i tij i plotë:

Kushtet e këqija të punës, gjendja e keqe e ndërmarrjes, keqmenaxhimi e hajnia e pandalshme në KRM Pastërtia, i ka detyruar punëtorët që përsëri dje të hyjnë në grevë. Me kërkesa të ngjashme, këta punëtorë me të drejtë e kanë pezulluar punën edhe disa herë më parë, por fatkeqësisht nga menaxhmenti e as nga ekzekutivi lokal nuk ka pasur reflektim, përveç premtime të rrejshme sa për ta filluar punën.Punëtorët kanë të drejtë në kauzat e tyre. I mbështesim në kërkesat e drejta që i kanë, me garancën që situata e tyre do të përmirësohet rrënjësisht pas pak muajsh, kur në Pastërti do të ndalen vjedhjet dhe me menaxhim të mirë prioritet do të jenë punëtorët e kushtet e tyre të punës!Ndërkohë, Komuna me patjetër duhet sa më parë të veprojë për të gjetur zgjidhje që mbeturinat disa javëshe të palarguara në shumicën e fshatrave, të mos vazhdojnë të kundërmojnë anekënd qytetit, që në këto temperatura të larta janë edhe rrezik direkt për shëndetin tonë e të fëmijëve tanë!