Tony Blair

Reuters shkruan për statujën që po i bëhet Tony Blairit në Ferizaj: Nderon kultin “Tonibler” në Kosovë

Ndërsa skulptori Agon Qosa i bëri disa nga prekjet e fundit një statuje të Tony Blair, ai mendoi për atë që ish-kryeministri britanik kishte bërë për Kosovën një çerek shekulli më parë, shkruan agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters në krye të një artikulli të publikuar sot, me titullin “Statuja e Tony Blairit nderon kultin ‘Tonibler’ në Kosovë”.

Qosa dhe shqiptarët e tjerë etnikë në Kosovë e idollizojnë Blairin për rolin e tij udhëheqës gjatë një fushate bombardimi të NATO-s në vitin 1999 që ndaloi përparimet e forcave serbe dhe në fund e ndihmoi vendin e vogël ballkanik ta fitonte pavarësinë.

Njëzet e pesë vjet më vonë, Qosa po përfundon një statujë të përmasave reale të Blairit, e cila do të derdhet në bronz dhe do të vendoset në bulevardin Tony Blair në qytetin lindor të Ferizajt më 12 qershor, që shënon fundin e luftës së Kosovës 1998-99.

“Vendosa ta kem atë në qytetin tonë, në Kosovën tonë, duke mbërritur i lumtur dhe i gëzuar”, tha Qosa ndërsa punonte në statujën që e paraqet Blairin duke buzëqeshur me një kostum.

Skulptori shqiptar i Kosovës Agon Qosa punon në një statujë të ish-kryeministrit të Britanisë Tony Blair në studion e tij, që do të vendoset në bulevardin Tony Blair në Ferizaj, Kosovë, 12 prill 2024. REUTERS/Valdrin Xhemaj

Më shumë se 13,000 njerëz, kryesisht shqiptarë vendas, u vranë në luftën e viteve 1998-99. Blair, i cili ishte kryeministër i Britanisë nga viti 1997 deri në vitin 2007, mbështeti bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë për ta detyruar atë të tërhiqej nga Kosova.

Shumë mbështetës më vonë u zhgënjyen me Blairin për rolin e mëvonshëm të Britanisë në pushtimin e Irakut të udhëhequr nga SHBA-ja në vitin 2003, por shumë njerëz në Kosovë ndajnë entuziazmin e Qoses.

Sipas zyrës shtetërore të statistikave, më shumë se 10 persona quhen Tonibler, Toni ose Bler.

Bill Clinton, i cili ishte president i SHBA-së në kohën e fushatës së bombardimeve të NATO-s, ka gjithashtu një statujë në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.

Bashkim Fazliu, kreu i Fondacionit “Ne kujtojmë Tony Blairin” që ia porositi shtatoren ish-kryeministrit britanik, e ka ftuar atë në inaugurim, por tha se ende nuk ka marrë konfirmimin se do të marrë pjesë.

Kur Tonibler Gashi lindi dy vjet pas luftës, babai i tij nuk kishte dyshim që djalit të tij të parë t’ia vinte emrin e Blairit. Gashi, tash 22 vjeç, ishte nëntë vjeç kur e takoi Blerin e vërtetë në Prishtinë.

“Ishte pak a shumë si ta takoja një profet për njerëzit tanë…ai më shtrëngoi dorën dhe u ndjeva mirë”, tha ai.

Tonibler Gashi, një student në fakultetin e mjekësisë në Kosovë, i cili u emërua sipas ish-kryeministrit të Britanisë, Tony Blair, pozon në banesën e tij në Prishtinë, Kosovë, 15 prill 2024. REUTERS/Valdrin Xhemaj

VIDEO BONUS: