Reshitaj: Dyshimet për keqpërdorim të parasë gjatë pandemisë deshëm t’i drejtojmë në prokurori, penguan deputetët e VV-së

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Albena Reshitaj ka njoftuar se sot është mbajtur mbledhja e radhës së komisionit ku për të raportuar për menaxhimin e pandemisë, ishte i ftuar sekretari i ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardini.

Reshitaj ka thënë se sot është marrë vendim që të formohet komision hetues parlamentar qo do ta hetojë menaxhimin e pandemisë nga institucionet.

“Sot kishim të ftuar sekretarin e ministrisë së përgjegjësisë, z. Naim Bardini, për të na raportuar rreth menaxhimit të situatës me Covid-19 në Republikën e Kosovës. Nga anëtarët e komisionit pati shumë pyetje në lidhje me të gjitha procedurat dhe natyrisht nga sekretari morëm disa përgjigje dhe informacione. Ajo që do të doja t’ju informojë është se, është vendosur që Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka vendosur që të formojë komisionin hetues parlamentar për menaxhimin e pandemisë Covid-19. Kjo është gjë e mirë, sepse në këtë komision do të hetohen të gjitha procedurat dhe do të dal komplet e vërteta në lidhje me menaxhimin e pandemisë”, tha Reshitaj në një konferencë për media.

Reshitaj po ashtu tha se kishte disa akuza në mes përfaqësuesve të partive që janë anëtarë komisioni. Ajo theksoi se u hodhën edhe akuza për keqpërdorim të parasë publike gjatë pandemisë, të cilën gjë tha se pati vullnet që komisioni ta çojë në prokurori, mirëpo sipas saj, këtë gjë e pamundësuan deputetët e VV-së, duke dalë nga mbledhja dhe duke e pamundësuar kuorumin për të votuar.

“Pati disa kundërshtime mes deputetëve për statistikat e menaxhimit të pandemisë. Pati edhe akuza për keqmenaxhim dhe keqpërdorim të parasë publike. Ne ishim të pajtimi që me këtë çështje të merret prokuroria, mirëpo deputetët e Vetëvendosjes u larguan nga komisioni u larguan nga komisioni në kohën kur ne deshëm ta votonin si mocion që kjo procedurë të çohet në prokurori. Nuk arritëm ta votojmë sepse nuk patëm kuorum”, tha Reshitaj.

Reshitaj theksoi se Komisioni nuk ka të drejtë ta thërrasë në raportim ministrin e Shëndetësisë, meqë qeveria është në detyrë.

‘Ka pothuajse dy javë që si komision jemi duke ftuar për raportim akterët përgjegjës të institucioneve shëndetësore që ndërlidhen me përgjegjësi dhe raportim në komisionin tonë. Dua të potencoj që, meqenëse qeveria është në detyrë dhe ne nuk kemi të drejtë ligjore ta ftojmë ministrin në raportim, por i ftojmë akterët përgjegjës të institucioneve përgjegjëse”, tha ajo.