Rënia në sondazhe| Kurti i kthehet popullit katër muaj pasi e ofendoi me deklaratën “Populli nuk është ekspert”

Rënia e partisë së tij në sondazhe duket se ia ka ndryshuar kryeministrit mendimet e tij për popullin.

Partia e tij, Vetëvendosje, në sondazhet e fundit nuk ka arritur të marrë më shumë se sa 37 për qind, duke shënuar një rënie prej 13 për qind në krahasim me votat që ka marrë më 14 shkurt të vitit të kaluar.

Para se të publikoheshin këto sondazhe, Kurti nuk shfaqte ndonjë simpati të madhe për popullin. E përqeshte në parlament.

“Populli nuk është ekspert”, pati thënë në seancën parlamentare të qershorit të këtij viti, ku diskutohej për kërkesën e opozitës për Trustin.

“Nëse populli është ekspert atëherë po e pyesim Muratin e Skenderajt ose Hysenin e Prishtinës, se si t’ia bëjmë me çdo problem”, kishte thënë Kurti.

Kjo deklaratë e tij pati bërë bujë dhe pati nxitur kritika të mëdha.

Kurti gjatë asaj seance ishte përpjekur që ta sqaronte se çfarë kishte dashur të thoshte.

Pasi u kritikua nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, Kurti e mori fjalën dhe u shpreh se nuk ka thënë që populli nuk është ekspert por ekspertiza i përket ekspertëve.

“Së pari unë nuk thash asnjëherë që populli nuk duhet pyetur , përkundrazi thash populli është burim i sovranitetit, a sovran është shteti, në republikë, në monarki është mbreti ose mbretëresha”.

“Populli duhet pyete, por kritika ime ishte në pretendimin që nuk ka ekspertizë si populli, kjo është gabim. Ekspertiza i përket ekspertëve, që janë qytetarë të republikës, dalin nga populli, por populli ekspert nuk është. Prandaj, edhe ekziston arsimi i lartë e specializimi. Ata kontribuojnë për popull, por s’do të thotë që populli është ata”, tha Kurti.

Por, tash në nëntor, Kurti ka dhënë deklarata tjera për popullin.

“Popullin e kemi lider. Do ta ndjekim atë”, ka thënë Kurti dje në organizatën e gruas së VV-së, para grave të partisë së tij.

Tutje, lideri i Vetëvendosjes e vazhdoi fjalimin e tij me fjalë të ëmbla ndaj popullit kosovar, shkruan Insajderi.

“Nëse ne prijmë për disa çështje e tema të caktuara kauza e barazisë gjinore, ne duhet ta ndjekim popullin i cili po na prinë neve. Minimumi që mund të bëjmë është ta ndjekim popullin, sepse popullin e kemi lider dhe në këtë kuptim përgjegjësia jonë është shumë e madhe sepse është jo vetëm ndaj gruas po është edhe ndaj popullit i cili kaq shumë deshi që në përfaqësim të kemi gra ne institucionet e shtetit. Këto dy çështje na kanë shtyrë të punojmë më shpejtë në reformën organizative dhe si rezultat tanimë e kemi GVV-në si strukturë”, theksoi tutje Kurti.

Gjatë fjalimit të djeshëm Kurti nuk ka dhënë sqarime se pse duhet të ndiqet një popull që nuk ekspert. Por, as nuk ka kërkuar falje për ofendimin që ia ka bërë popullit në muajin qershor.

E ka tejkaluar këtë deklaratë skandaloze duke iu vërsulur popullit me lëvdata të mëdha, një muaj pasi populli në sondazhe i ka treguar se nuk do ta votonte mbi 50 për qind në zgjedhjet e ardhshme.