Renditja e FIFA-s, Kosova dhe Shqipëria humbasin nga një vend

Shqipëria dhe Kosova humbasin nga një vend në Renditjen e FIFA-s për muajin nëntor.

Mbyllja e eliminatoreve të Europianit që u shoqëruan dhe me rezultate negative për kuqezinjtë dhe dardanët janë pasuar dhe nga një zbritje në renditjen e përgjithshme për shqiptarët.

Kosova që i mbylli eliminatoret me humbjen me Republikën Çeke dhe Anglinë ka humbur një pozicion në klasifikimin e përgjithshëm duke zbritur në vendin e 115-të nga vendi i 114-të dhe për herë të parë gjatë këtij viti ka regjistruar një rënie në klasifikim.

Ndërkohë Shqipëria që barazoi 2-2 me Andorrën dhe humbi 2-0 me Francën ka rrëshkitur nga vendi i 65-të në vendin e 66-të të renditjes së përgjithshme të FIFA-s, ku më shumë se humbja me kampionët e botës ka ndikuar barazimi dhe golat e pësuar në Elbasan Arena nga Andorra.

Ndërkohë që renditja e përgjithshme e FIFA-s nuk ka ndryshime në 5 vendet e para të saj, me Belgjikën që vazhdon të kryesojë e ndjekur nga kampionët e botës së Francës dhe ata të Amerikës së Jugut të Brazilit për të vazhduar me Anglinë dhe Uruguain.