Rekordmeni Ronaldo dëshmon se Rangnick mund të mbështetet tek ai

Ardhja e trajnerit Ralf Rangnick te Manchester Unitedi ka shkaktuar debat të madh për rolin e Cristiano Ronaldos në ekip. Mirëpo ylli portugez ia bëri me dije trajnerit gjerman se mund të mbështetet tek ai. E këtë Ronaldo e bëri para syve të Rangnickut në ndeshjen kundër Arsenalit. Nëse Ronaldo ndjeu nevojën për t’ia dërguar një mesazh trajnerit të tij të ri – pas të gjitha polemikave se ai nuk do të përshtatej në formacionin e tij – atëherë këtë e bëri duke shënuar dy gola ndaj Arsenalit për t’ia siguruar fitoren Unitedit me rezultatin 3:2.

Rangnick ishte në tribuna për ta parë ekipin e tij të ri, dhe ndërsa ka gjetur shumë probleme që duhet të korrigjohen, atëherë Ronaldo nuk do të jetë në mesin e tyre. Madje Rangnick u ngrit në këmbë për ta duartrokitur portugezin për golin e tij të 800-të, përkatësisht 801 në karrierë, ku vendosi rekord. Pavarësisht nëse ai bën presion të mjaftueshëm apo jo, Ronaldo pritet të konsiderohet si titullar i Rangnickut në çdo ndeshje.

E te Unitedi e shohin Ronaldon si garanci për gola dhe për këtë arsye janë munduar ta përshtatin ekipin përreth 36-vjeçarit. E Rangnick të premten në konferencën për shtyp pranoi se Ronaldo do të jetë atuja e tij kryesore deri në fund të këtij edicioni. Rangnick është emëruar trajner i përkohshëm i Unitedit dhe pas përfundimit të sezonit aktual, ai do ta vazhdojë punën në ekipin anglez si këshilltar edhe për dy vjet të tjerë. Rangnick do të debutojë në krye të Unitedit të dielën në ndeshjen kundër Crystal Palacet që luhet në “Old Trafford” dhe i takon xhiros së 15 në Premier League.

“Gjithmonë duhet ta përshtatni idenë tuaj për futbollin me lojtarët që keni në dispozicion, jo anasjelltas. Cristiano ishte i mahnitshëm ndaj Arsenalit. Në moshën e tij nuk kam parë kurrë një lojtar që është ende aq i aftë fizikisht dhe Ronaldo mbetet një lojtar që mund të bëjë lehtësisht diferencën”, ka thënë Rangnick. “Ka të bëjë me mënyrën se si ne mund të zhvillojmë të gjithë ekipin, nuk ka të bëjë vetëm me Cristianon. Ne luajmë në ligën më të fortë në botë, kështu që na duhen të gjithë lojtarët. Ajo që pashë nga Cristiano, mund të them se ai është më se i gatshëm ta bëjë këtë”.

Rangnick merr përsipër me Unitedin në vendin e shtatë në tabelë, 12 pikë prapa liderit Chelsea, dhe në raundin e nokautit të Ligës së Kampionëve.

“Sfida është të sjellim më shumë ekuilibër në skuadër. Edhe kundër Arsenalit na duheshin tre gola për të fituar ndeshjen. Janë pothuajse dy gola mesatarisht të pësuar për lojë dhe kjo është shumë”, pranoi Rangnick.

Po ashtu Rangnick, që zëvendësoi Ole Gunnar Solskjaerin e shkarkuar, nuk e ka përjashtuar mundësinë që të mbetet trajner i Manchester Unitedit edhe pas përfundimit të këtij sezoni. Ai ka thënë se nuk ka asgjë kundër kësaj ideje, nëse ka rezultate të mira deri në fund.

“Nëse gjithçka shkon mirë, unë mund të bëj të njëjtin rekomandim që bëra te Leipzigu dy herë – që mund të jetë një ide e mirë të vazhdoj të punoj si trajner edhe për një vit – por gjithçka është hipotetike”, tha 63-vjeçari gjerman. “Njerëzit me të cilët kam folur kanë qenë shumë të qartë se po flasim për një rol gjashtëmujor si trajner. Nuk kemi folur kurrë për atë që do të ndodhë në verë. Për momentin jam plotësisht i vetëdijshëm se ata mund të kërkojnë një trajner të ri. Nëse më pas do të flasin me mua për këtë, do të shohim. Për mua, tani ka të bëjë me fitoren e ndeshjeve të ardhshme dhe ky është fokusi kryesor”.

Rangnick gjithashtu ka zbuluar se kishte folur me Solskjaerin për 90 minuta vikendin e shkuar dhe se është munduar ta bindë Michael Carrickun të qëndrojë përkrah tij. Carrick, i cili ishte ndihmës i Solskjaerit, e udhëhoqi ekipin në tri ndeshje përpara se të njoftojë për largimin e tij nga klubi pas fitores ndaj Arsenalit.

“Kam pasur një bisedë telefonike me Solskjaerin për më shumë se një orë. Gjithashtu unë u përpoqa ta bind Carrickun të qëndrojë, por në fund më duhej të pranoja vendimin e tij”, tha Rangnick që nuk premtoi përforcime gjatë afatit kalimtar të janarit. “Ne nuk kemi folur për lojtarë të rinj. Tani është koha për të njohur ekipin aktual në detaje dhe mund të them se kemi lojtarë mjaftueshëm”.