Mbrojtësi i kombëtares shqiptare dhe i klubit të Napolit në Serie A në Itali, Elseid Hysaj, feston ditëlindjen e tij të 25-të këtë 2 shkurt.
Mbrojtësi i krahut të djathtë, që është duke kaluar një moment jo të mirë në karrierë, ka marrë urime të shumta nga tifozët, Federata Shqiptare e Futbollit, klubi i Napolit, etj.
Hysaj është duke luajtur sezonin e tij të katërt te Napoli, ekip me të cilin ka parë vetëm ngjitje në karrierë, paçka sezonit të fundit që është duke vuajtur shumë nën drejtimin e Ancelottit.
Gjithsesi, me Napolin dhe Empolin më herët, Elseid Hysaj, numëron 159 prezenca në Serie A, 62 ndeshje në Serie B, dhe 16 takime në Champions League, ndërsa në total në të gjitha garat me skuadrat italiane, ai numëron 291 ndeshje të luajtura.
Mbrojtësi i kombëtares kuqezi ka luajtur gjithashtu 42 ndeshje me fanellën e Shqipërisë, që prej debutimit të tij në vitin 2013. Hysaj është një nga lojtarët më të talentuar shqiptar, që aktualisht ka një vlerë tregu mbi 25 milionë euro. Ai ka qenë në qendër të merkatos në verën e vitit të shkuar dhe më shumë se kurrë tani, gjatë muajit janar.
Chelsea në Angli, Interi në Itali, por dhe ekipe të tjera në ligat evropiane, kanë shfaqur interes të vazhdueshëm për Elseid Hysajn. Gjatë karrierës së tij me Napolin, Hysaj edhe pse një nga lojtarët më të mirë të ekipit, ai nuk ka shënuar asnjë gol, ndërsa në total ka asistuar në tetë ndeshje në Serie A.
Pavarësisht këtij rekordi, Hysaj mbetet sot për sot një nga lojtarët më të mirë në Itali në rolin e tij si mbrojtës i djathtë.







