Rekord i zi: Holanda s’e pati asnjë goditje në cakun e portës së Çekisë

Holanda e theu një rekord të zi në humbjen kundër Republikës së Çekisë 2:0, e cila i kushtoi me largim nga Euro 2020, duke dështuar ta bëjë qoftë edhe një goditje të vetme në portën kundërshtare.

Për herë të parë në një ngjarje të madhe, Euro apo Botëror, Holanda nuk arriti ta bëjë asnjë gjuajtje brenda kornizës së portës kundërshtare të dielën në disfatën kundër Çekisë.

Holanda i ka zhvilluar 89 ndeshje në Kampionate Evropiane dhe Botërore në historinë e ekipit të vet kombëtar, por sot dështoi për herë të parë ta godas cakun e portës.

Holandezët i patën shtatë goditje në përgjithësi në këtë ndeshje, por të gjitha këto tentime ishin jashtë kornizës së portës.