Reciprociteti për targa, Veliu thotë se sot u zbatua vendimi i tij që e kishte nënshkruar sa ishte ministër

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Agim Veliu ka thënë se vendimi i sotëm i MPB-së për vendosje të reciprocitetit ndaj Serbisë sa i përket targave të automjeteve është zbatimi i vendimit të cilin në cilësinë e ministrit të Punëve të Brendshme e kishte nënshkruar para një viti.

“Njëkohësisht vendimi i sotëm vjen si rezultat i Marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel më 14 shtator 2016 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë lidhur me lëvizjen e lirë”, ka shkruar Veliu.

Postimi i plotë:

Vendimi i sotëm i MPB për vendosje të reciprocitetit ndaj Serbisë sa i përket targave të automjeteve është zbatim i vendimit, të cilin në cilësinë e Ministrit të Punëve të Brendshme e kam nënshkruar më  17.09.2020, për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ Nr.02/2018 për Regjistrimin e Automjeteve me Targa KS.

Njëkohësisht vendimi i sotëm vjen si rezultat i Marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel më 14 shtator 2016 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë lidhur me lëvizjen e lirë.

Krahas implementimit të vendimeve të marra nga Qeveria e kaluar, lajm i mirë është se Qeveria aktuale po i njeh marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara në kohën e Qeverisë Hoti.

Detyrë dhe obligim parësor i të gjithë neve është ruajtja e subjektivitetit shtetëror dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës.