Deputeti i PDK-së

Reçica: Avancimi i shteteve të regjionit dhe të ish-bllokut të Lindjes drejt BE-së, sinjal për Kosovën

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica tha se është shqetësues vlerësimi në raportin e Komisionit Europian për progresin e Kosovës drejt anëtarësimit në BE.

Reçica në debatin parlamentar për raportin e sivjetmë të Komisionit Europian foli për perspektivën europiane të Kosovës, në të cilën sipas tij, vendi ka ngecur, raporton Gazeta Express.

“Çka mund të thuhet për perspektivën europiane të Kosovës. Derisa shtetet e regjionit, shtetet e ish-bllokut të Lindjes kanë avancuar në këto procese, Kosova përmendet vetëm se ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe asnjë fjalë tjetër nuk thuhet për këtë çështje. Kjo është shqetësuese dhe realisht është një sinjal se sa janë të interesuara shtetet e BE-së për ta mbështetur Kosovën drejt anëtarësimit”, tha Reçica.

“Kemi shtete të ndryshme që… ta zëmë, më 9 nëntor Komisioni Europian miratoi pakon e zgjerimit, me ç’rast rekomandoi hapjen e negociatave për anëtarësim të Ukrainës, Moldavisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Me kushte të caktuara, rekomandoi statusin e vendit kandidat për Gjeorgjinë. Realisht, çfarë situate kanë ato vende dhe ku jemi ne? Po shihet që ato janë në avantazh”, shtoi ai.