Reali mes vuajtjeve kualifikohet n’gjysmëfinale, City fiton edhe ndeshjen e dytë

Real Madridi është kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Skuadra e Zinedine Zidane vuajti për 90 minuta në “Anfield”, por sfida u mbyll 0-0 dhe falë fitores 3-1 në takimin e parë, siguroi biletën për në fazën tjetër.

Edhe Manchester City është kualifikuar në gjysmëfinale. City i Guardiolës e fitoi edhe takimin e dytë në Gjermani, me rezultatin 2-1.

90 minuta vuajtje në “Anfield” për Real Madridin.

Të besuarit e Zinedine Zidane kanë siguruar kualifikimin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve pasi eliminuan Liverpoolin në çerekfinale.

Reali vuajti për 90 minuta në “Anfield” në sfidën e kthimit, por e mbajti portën e paprekur dhe arriti që të mbrojë rezultatin e ndeshjes së parë 3-1.

Liverpooli kishte raste të shumta me Salah, Mane, Jota, Milner e të tjerë, por nuk ishte nata e tyre.

Dortmund 1-2 Manchester City

Në gjysmëfinale është kualifikuar edhe Manchester City.

Skuadra e Pep Guardiolës e fitoi edhe sfidën e dytë në Gjermani, me rezultatin e njëjtë sikur në Angli, 2-1, për t’u kualifikuar në fazën tjetër me rezultat të përgjithshëm 4-2.

Dortmund e nisi mirë takimin, 18-vjeçari Bellingham i kaloi vendasit në epërsi në minutën e 15-të.