Reali fiton me përmbysje, por nuk i mjafton për titull të kampionit

Real Madridi ka fituar ndeshjen e fundit në La Liga 2-1 ndaj Villarrealit me përmbysje, por që nuk i ka mjaftuar për tu shpallur kampion të ri të Spanjës.

Takimi nisi me tempo të ulët me të dyja skuadrat që luanin kujdesshëm dhe ndeshja kryesisht luhej në mesin e fushës.

Megjithatë vetëm pas 20 minutave lojë, ishte skuadra mysafire që kaloi në epërsi.

Gerard Moreno asistoi për mrekulli te Yeremi Mino i cili shënoi bukur për ta kaluar Villarrealin në epërsi 0-1.

Reali tentoi të rikthehej në lojë dhe pati rast të mirë me Luka Modric në minutën e 34-të, por që goditja e tij u prit nga portieri mysafir.

Me epërsinë 0-1 të mysafirëve përfunduan edhe 45 minutat e para të kësaj sfide.

Reali e nisi furishëm pjesën e dytë, kur fillimisht tentuan me Eder Militaon, por pa sukses.

Në minutën e 56-të, Karim Benzema shënoi gol, por që goli i tij u anulua me VAR pasi francezi ishte në pozitë jashtë loje.

Edhe pas golit të anuluar, Reali vazhdoi me sulmet, ku në minutën e 67-të, përsëri Benzema kishte rast të mirë, por pa sukses.

Los Blancos nuk u dorëzuan dhe nëminutën e 88-të barazuan rezultatin në 1-1, kur realizoi Karim Benzema pas asistimit nga Rodrygo.

Krejt në fundin e ndeshjes, Luka Modric arriti të shënonte për 2-1 pas asistimit nga Karim Benzema, për t’i siguruar tri pikët madrilenëve.

Përkundër fitores, Reali nuk arriti ta siguroi titullin e kampionit, pasi edhe Atletico Madrid triumfoi në udhëtim te Real Valladolid.

Kësisoj, pasi nuk arritën ta mbrojnë titullin e kampionit, Real Madridi e përfundon sezonin në vendin e dytë, pozitë që i dërgon ata direkt në grupet e Ligës së Kampionëve.