Real shpëton në fund, por turpërohet si asnjëherë më parë (VIDEO)

Me shumë mundësi nuk ka ndodhur ndonjëherë që Real Madrid të ketë vetëm 27% të mbajtjes së topit në një ndeshje, të paktën ndaj një ekipi inferior. Sot ka ndodhur ndaj Real Betis që kishte 73% të mbajtjes së topit. Një statistikë e turpshme për kampionët e Botës.

Real Madrid ka fituar 2-1 ndaj Real Betis në ndeshjen e javës së 19-të të La Liga-s.

Pritej të ishte një sfidë delikate për Los Blancos, pasi Betis është paraqitur mirë këtë sezon, megjithëse në dy ndeshjet e fundit kishte të njëjtën ecuri me Real, një barazim dhe një humbje.

Duhej goli i Ceballos në fund të takimit për t’i dhënë tre pikë tepër të rëndësishme skuadrës së Santiago Solari-t, e cila ka vuajtur shumë edhe këtë sfidë.

Real fiton, por nuk bind. Përveç kësaj, merr një lajm të keq pasi Karim Benzema duhet të zëvendësohej pas pjesës së parë dhe thuhet të ketë pësuar një dëmtim në dorë.

Me këtë fitore, Real është ngjitur në vend të 4-t të renditjes së La Liga-s dhe është me pikë të barabarta me Sevilla-n e vendit të tretë.