Los Blancos

Real Madridi thyen rekorde negative pas humbjes nga Levante

Real Madridi thellon krizën derisa rritet presioni për ta shkarkuar trajnerin Julen Loptegeui.

Të shtunën në Bernabeu, Los Blancos pësuan 1:2 nga Levante, që është humbja e tretë në La Liga, disfata e tretë rresht në të gjitha garat dhe ndeshja e pestë në seri, pa fitore për Realin.

Mysafirët brenda 13 minutave të parë të ndeshjes realizuan dy gola, me Jose Luis Moralesin në minutën e shtatë dhe Roger Marti 6 minuta më pas, nga pika e bardhë.

Futbollistët e Real Madridit, përveç serisë negative, nuk shënonin gol për më shumë se 400 minuta, deri kur Marcelo në minutën e 72-të, shënoi për të kthyer ekipin në lojë, që realizoi golin e parë pas saktësisht 465 minuta, rekordi më i keq në historinë 116-vjeçare të klubit.

Por ky mbeti gol ngushëllimi për vendësit, që janë në krizën më të madhe në tri dekadat e fundit.