Real Madridi synon Eriksenin në janar

Drejtuesit e “Los Blancos” po planifikojnë përfshirjen e lojtarit danez në muajin janar në organikën e drejtuar nga Zidane. Mesfushori i Tottenhamit rikthehet në axhendën e Madridit dhe me këtë rast drejtuesit nuk kanë ndërmend të lënë mënjanë mundësinë që ofron tregu, teksa e lanë t’u ikte shansi gjatë verës, pasi Zinedine Zidane dëshironte me çdo kusht Paul Pogban.

E vërteta është se Manchester United nuk pranoi të negocionte asnjëherë, pavarësisht dëshirës së kampionit të botës për të nënshkruar për klubin e bardhë. Pogba është ende në pritje, por mundësitë që ai të largohet nga “Old Trafford” janë zvogëluar me kalimin e kohës.

Tottenhami ka bërë një përpjekje të re dhe të fundit për të kërkuar rinovimin e kontratës së Eriksenit, por ndërkombëtari daneze është i qartë se ditët e tij në Premier League do të përfundojnë më 30 qershor.

E tillë është situata dhe, siç ka mësuar “MARCA”, Daniel Levy, president i ekipit anglez, ua ka bërë të qartë njerëzve të tij më të besuar se duhet të punojnë në kërkim të një oferte që mund të sigurojë para për arkat e Tottenhamit në muajin janar, pasi në qershor 2020 mesfushori do të largohej me parametër zero.

Drejtuesit e Realit po lëvizin me kujdes absolut në këtë çështje. Ata nuk duan të kalojnë vijën e kuqe dhe do të presin deri më 1 janar para se të mbyllin një marrëveshje të mundshme me lojtarin.

loading…