Janë orë vendimtare për të ardhmen e Paul Pogba. Real Madridi ka shfaqur shumë pasiguri në miqësoret verore duke lënë për të dëshiruar sidomos në repartin e mesfushës aty ku trajneri Zinedine Zidane ka nevojë për më shumë forcë fizike, pasi skuadra e tij ka pësuar 16 gola në 5 ndeshje.

I përzgjedhuri i trajnerit francez vazhdon të jetë bashkëkombasi i tij Paul Pogba për të cilin Real Madridi do të bëjë sulmin final gjatë këtyre ditëve me shpresën se mund të mbyllë gjithçka deri në datën 8 gusht kur përfundon edhe merkato në Angli.

Nëse nuk arrin dot te Pogba të cilin Manchester United po e shtrëngon fort me të gjitha mënyrat, atëherë Real Madridi do të hidhet në sulm për talentin e Ajaxit, Donny Van de Beek.

Sipas Marcas, “Los Blancos” janë gati të shpenzojnë deri në 60 milionë euro për mesfushorin holandez i cili nëse do të largohej nga harkëtarët do të bëhej shitja e tretë më e shtrenjtë e Ajaxit pas De Jong dhe De Ligt.