Situata në Real Madrid nuk është e përsosur dhe kjo gjë është dëshmuar gjatë muajve të fundit, pasi që kampioni në fuqi të Evropës ka ngecur prapa qysh tani në garën për titullin e La Ligës.

Përkundër formës së keqe gjatë këtij sezoni, “Los Blancos” kanë arritur të kualifikohen në çerekfinale të Kupës së Mbretit dhe në fazën e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve.

Stili i lojës së Real Madridit ka marrë shumë kritika, ngjashëm me disa vendime të tjera të trajnerit Santiago Solarit. E madje, shumë tifozë besojnë se as futbollistët nuk janë duke performuar në nivelin e tyre të zakonshëm.

Mirëpo, klubi kishte qenë në një situatë edhe më të keqe në këtë pikë, gjatë sezonit të kaluar. Mirëpo, ish-trajneri Zinedine Zidane kishte arritur t’i zgjidhte problemet dhe e kishte përfunduar sezonin si fitues i Ligës së Kampionëve për të tretin vit radhazi.

Megjithatë, zgjidhjet për Solarin nuk duket se do të vijnë kaq lehtë, e veçanërisht jo gjatë afatit kalimtar të janarit. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit madrilen kanë vendosur që të presin deri në fund të sezonit për të transferuar lojtarë të tjerë.

Vera e ardhshme pritet të vijë me shumë ndryshime në Real Madridi, veçanërisht për lojtarët më të rinj, si Marco Asensio, të cilët duket se e kanë humbur rrugën gjatë këtij sezoni.

Mirëpo, tani nuk është momenti i duhur për ta filluar një revolucion në skuadër pasi që Real Madridi është ende në garë për tripletën, pasi që titujt e Ligës së Kampionëve, Kupës së Mbretit dhe La Ligës janë ende të gjitha të arritshme për madrilenët.