Mesfushori Adrien Rabiot mund të jetë një prej afrimeve surprizuese të Real Madridit në merkaton e verës.

Prej disa muajsh klubi “los blancos” ka nisur të vëzhgojë situatën e mesfushorit të PSG-së, i cili duhet thënë se po kalon një moment të vështirë në “Parc des Princes”, me klubin që nuk ka reaguar në lidhje me një rinovim të mundshëm të kontratës së tij.

Në këtë pikë, klubi madrilen do të rreshtohet ndër kandidatët që do të kërkojnë shërbimet e tij në fund të sezonit, kohë në të cilën skadon dhe kontrata e Rabiot me francezët, çka nënkupton se “Los blancos” mund ta merrnin me parametra zero.

Situata e Rabiot është komplikuar kohët e fundit pas disa sjelljeve jo të disiplinuara të 23-vjeçarit, që janë cilësuar të padenja nga klubi parizien, siç ishte raportimi se Rabiot kishte shkuar të festonte në një diskotekë natën që PSG u eliminua nga Championsi. Burime pranë klubit madrilen madje raportojnë se tashmë lojtari mund të ketë arritur paraprakisht një kontratë me gjigantët La Ligas.

Edhe verën e shkuar Rabiot ishte pjesë e agjendës së Realit që e projektuan atë si një zëvendësues ideal të Kovaçiç, që u largua drejt Chelseat, edhe pse operacioni për të nuk u mbyll me sukses. Tashmë një vit më vonë ai ende vijon të vlerësohet nga kampi spanjoll, me stilin e tij elegant dhe kualitetin që disponon, që mund të ishin të vlefshme për trajnerin Zidane.