Sulmuesi anglez

Real Madridi i gatshëm të ofrojë 100 milionë euro për Rashfordin

Real Madridi po planifikon të bëjë një ofertë prej 100 milionë eurosh për Manchester United, që t’i marrë sulmuesin Marcus Rashford në verë.

Kështu bën me dije “The Sun”. Nga ana e tyre, drejtuesit e “Djajve të Kuq” shpresojnë ta lidhin 21-vjeçarin me një kontratë të re në verë, me shpresën për ta parandaluar që të largohet.

Por, “Los Blancos” i kanë premtuar anglezit se do ta bëjë sulmuesin e tyre kryesor dhe se do t’i ofrojnë kontratën e “Old Trafford”. Mësohet se drejtuesit e skuadrës kanë rënë dakord për një marrëveshje të re pesëvjeçare, por Rashford dëshiron të presë, përpara se të marrë ndonjë vendim. Kjo i ka inkurajuar gjigandët spanjollë në besimin e tyre se ende mund ta joshin sulmuesin e talentuar anglez.

The Sun” zbuloi që në nëntor se si Real Madridi kishte qenë në kontakt me përfaqësuesit e lojtarit në fjalë. Asokohe, 21-vjeçari ishte i hapur për një lëvizje të mundshme jashtë vendit, pasi u ndje i pakënaqur nën drejtimin e Jose Mourinhos. Ai nuk kishte ndonjë shans në rolin e tij të preferuar dhe ishte gati të merrte në konsideratë mundësinë e një lëvizjeje jashtë vendit.

Sidoqoftë, gjendja e tij ka ndryshuar nën drejtimin e trajnerit të përkohshëm, Ole Solskjaer, duke u aktivizuar më shumë, por Real Madridi ka vazhduar t’i mbajë të hapura linjat e komunikimit me Rashford.

Në bazë të marrëveshjes së tanishme, Rashford fiton 60.000 stërlina në javë. Kontrata në fuqi zgjat deri në fund të sezonit të ardhshëm, me një mundësi për klubin, që ta zgjasë atë edhe me një vit tjetër.

Manchester United është gati që t’i ofrojë më shumë se trefishin e pagave të tij aktuale, nëse rinovon, ose e thënë ndryshe 200.000 stërlina në javë.