Real Madridi është përgatitur për të hyrë në garë kundër Manchester Unitedit për t’i siguruar shërbimet e qendërmbrojtësit të Napolit, Kalidou Koulibaly, për të cilin klubi italian i kërkon 100 milionë euro.

Manchester Unitedi e kishte shprehur interesimin për Koulibalyn qysh në afatin kalimtar të verës së kaluar, pasi që ish-trajneri Jose Mourinho e vlerësonte atë si njeriun e përsosur për t’i zgjidhur problemet e “Djajve të Kuq” në mbrojtje.

Megjithatë, sipas të përditshmes italiane, Il Mattino, Manchester Unitedi nuk do ta ketë të lehtë t’i sigurojë shërbimet e senegalezit, pasi që në garë kundër anglezëve tani është futur kampioni evropian, Real Madridi.

Koulibaly vlerësohet si njëri ndër mbrojtësit më të mirë në Evropë për shkak të paraqitjeve të tij gjatë dy sezoneve të fundit. Kjo gjë ka bërë që Real Madridi ta kërkojë transferimin e tij qysh tani, në afatin kalimtar të janarit, për ta kaluar sa më shpejt krizën në të cilën gjendet klubi spanjoll.

Napoli besohet se është i gatshëm ta shesë Koulibalyn vetëm nëse ndonjëra nga klubet e interesuara për të pranon t’i shpenzojë 100 milionë euro për yllin senegalez. Ofertat e cilitdo klub nën këtë shumë do të refuzohen menjëherë nga drejtuesit e Napolit.

Vlera e Koulibalyt në tregun evropian është rritur në mënyrë dramatike gjatë kohës së fundit. Në janar të vitit 2017, ai vlerësohej vetëm me 30 milionë euro. Ndërsa në mars të vitit 2018, klubet që dëshironin ta transferonin atë, do të duhej të shpenzonin 50 milionë euro.

Senegalezi u transferua në Napoli në korrik të vitit 2014, kur për vetëm 7,75 milionë euro u largua nga klubi belg, Genk. Që nga atëherë vlera e tij është shumëfishuar dhe Napoli mund t’i përfitojë deri në 92 milionë euro nga shitja e tij.