Kampionët

Real Madridi, Barcelona, Manchester City, Bayerni dhe Juventusi, protagonistët e vitit 2018

Real Madridi e ka fituar Champions Leaguen e tretë rradhazi dhe të katërtën në pesë vitet e fundit. Në anën tjetër Barcelona, Manchester City, Bayerni dhe Juventusi kanë dominuar në kampionatet përkatëse.

“Los Blancos” nën drejtimin e Zinedine Zidanes triumfoi për herë të tretë rresht në Champions, ndërsa grupin e kaloi përmes vendit të dytë duke përfunduar pas Tottenhamit. Shorti në fazën me eliminim direkt, Real Madridit i rezervoi një përballje të vështirë ndaj Paris Saint Germanint, derisa në atë periudhë “mbretërit” po kalonin nëpër një formë të dobët. Megjithatë në muajin shkurt kur u zhvillua ndeshja e parë, Real Madridi mposhti parisienët 3-1, ndërsa madrilienët triumfuan edhe në ballafaqimin e revanshit 1-2. Në turin pasardhës, 13 herë kampionët e Championsit do të ballafaqoheshin me Juventusin. Skuadra e Zidanes dhuroi spektakël në “Allianz Stadium” duke e mposhtur 0-3 “Zonjën e Vjetër”. Por, kur mendohej se Real Madridi ishte veçse e kualifikuar për në gjysmëfinale, në “Santiago Bernabeu”, Juventusi iu afrua shumë rikthimit të rezultatit, por në fund penalltia e Cristiano Ronaldos preu biletën për fazën tjetër, me Real Madridin që kaloi në gjysmëfinale me rezultat të përgjithshëm 4-3. Polemika kishte edhe në përballjen gjysmëfinale kundër Bayernit, derisa Real Madridi shkoi në finale atje ku do të takohej me Liverpoolin. “Los Blancos” në finale i mposhtën “The Reds” bindshëm 3-1, me portierin e Liverpoolit, Loris Karius që ndikoi direkt në rezultatin e finales me gafat e tij. Pas suksesit të 13-të në Champions League, nga Real Madridi u larguan trajneri Zinedine Zidane dhe ylli portugez, Cristiano Ronaldo që zgjodhi Juventusin si destinacinonin e ri të karrierës.

Në La Liga, Real Madridi përfundoi në vendin e tretë, derisa festa ishte e gjitha për Barcelonën që u shpall kampion me 93 pikë. Katalanasit ishin pranë përmbylljes së kampionatit pa asnjë humbje, por në xhiron e parafundit u dorëzuan përballë Levantes, të cilët mposhtën 5-4 skuadrën e Ernesto Valveres. “Blaugranat” kishin sulmin më të mirë me 99 gola, ndërsa nënkampioni, Atletico Madridi kishte mbrojtjen më të mirë me vetëm 22 gola të pranuar. Barcelona vitin e përfundoi edhe me dy tituj tjerë, Copa Del Rey ku fitoi 5-0 ndaj Sevillës, gjersa të njëjtin kundërshtar e mposhti edhe në Super Kupën e Spanjës, 2-1 pas vazhdimeve.

Në Angli, Manchester City kishte një vit përrallor derisa e fitoi Premier Leaguen me 100 pikë, ose ndryshe 19 më shumë se përcjellësi i parë, Manchester Unitedi. Skuadra e Guardiolës humbjen e parë e pësoi në fillim të janarit nga Liverpooli në “Anfield”, ndërsa deri në fund u mposht vetëm edhe një here tjetër në shtëpi nga rivali i qytetit, Unitedi. “Citizens” kishin sulmin dhe mbrojtjen më të mirë me 106 gola të shënuar kurse i kishte pranuar 27. Manchester City fitoi edhe EFL Cup, kurse në FA Cup triumfoi Chelsea në finale kundër Arsenalit. Trofeun e fundit për këtë vit City e arriti në ndeshjen e parë të këtij sezoni në Commnunity Shield përballë Chelseat.

Juventusi në Itali vazhdoi marshimin drejt titullit të 7-të rradhazi, por vlen të përmendet që u ballafaqua me konkurrencë të madhe nga Napoli deri në javët e fundit të kampionatit. “Bianconerët” koleksionuan 95 pikë, 4 më shumë se Napoli i vendit të dytë. Skuadra e drejtuar nga Allegri përsëriti suksesin edhe në Kupën e Italisë, duke shaktërruar në finale Milanin me rezultat 4-0. Njëherish ky ishte trofeu i katërt rresht për Juventusin në këtë kompeticion. Nga Serie A, zhvillim i rëndësishëm ishte edhe rikthimi i Interit në Champions League pas 6 sezoneve mungesë, me “Nerazzurrët” që siguruan kualifikimin në ndeshjen e fundit kundër Lazios në një sfidë të çmendur që përfundoi 2-3, e denjë për ADN-ën e klubit zikaltër.

Në Gjermani historia ishte sërish e njëjtë me Bayernin që tregoi se nuk kishte kundërshtarë në Bundesliga, duke e përfunduar kampionatin me 21 pikë më shumë se vendi i dytë, Schalke. Bavarezët të drejtuar nga legjenda Jupp Heynckes fituan titullin e 6-të rradhazi. Befasi ndodhi në finalen e Kupës së Gjermanisë atje ku Bayerni u mposht 3-1 nga Eintracht Frankfurti, që udhëhoqej nga trajneri aktual i kampionëve në fuqi, Niko Kovac. Megjithatë me trajnerin kroat, Bayerni e fitoi Super Kupën pikërisht kundër Eintrachtit, me shifrat e thella 5-0.

Ligue 1 u dominua nga Paris Sanit Germain, që u rikthye të jetë kampion pas një viti pauze kur në vendin e parë pati përfunduar Monaco. Këta të fundit ishin sërish konkurrentët kryesor të parisienëve, që megjithatë e përfunduan kampionatin me 13 pikë më shumë se klubi nga Principata. PSG me Unay Emeryn në stol, vendosi embargo në secilin trofe kombëtar në Francë, gjersa në Kupën e Ligës mposhti Monacon 3-0, ndërsa në Kupën e Francës mposhti 2-0 skuadrën modeste Les Herbiers. Paris Saint Germain i shkaktoi një tjetër humbje të rëndë Monacos, duke e mposhtur 4-0 në finale të Super Kupës, kësaj rradhe me trajnerin e ri, gjermanin Thomas Tuchel.

Në kompeticionin e dytë evropian për nga rëndësia, Europa League, fitues ishte një tjetër skuadër spanjolle. Atletico Madridi pasi eliminoi në gjysmëfinale Arsenalin, në finalen e madhe kaloi 3-0 pa probleme Marseillen. Të besuarit e Diego Simeones, në Super Kupën e Evropës mposhtën rivalin e qytetit, Real Madridin, pas vazhdimeve 4-2.

Zhgënjimin e humbjes, Real Madridi e harroi me triumfin në Kupën e Botës për Klube në muajin e fundit të këtij viti. “Los Blancos” u bënë skuadra e parë që e fiton 4 herë këtë trofe, gjersa mposhtën 4-1 në finale klubin Al Ain nga Emiratet e Bashkuara Arabe.