Real, City apo Chelsea? Mbrojtësi më i kërkuar i “shkel syrin” një tjetër klubi

Josko Gvardiol është vendosur në qendër të merkatos teksa pas paraqitjeve të tij me Leipzig, performanca në Botërorin e Katarit me Kroacinë i vuri kapak të gjithë dyshimeve për talentin e tij. tashmë, klubet më të mëdha të Europës janë të gatshme të shpenzojnë përtej 100 milionë eurove për ta bërë të tyrin 20-vjeçarin.

Manchester City, Real Madrid dhe Chelsea e kanë shprehur hapur interesin për Gvardiol dhe po zhvillojnë një betejë të ashpër për të bindur Leipzig. Megjithatë, ai që mund të ndryshojë panoramën e merkatos është vetë lojtari i cili së fundmi shprehet se klubi i ëndrrave për të është Liverpool duke lëshuar një sinjal të drejtpërdrejtë për The Reds.

“Cili është klubi i ëndrrave të mia? Padyshim Liverpool. E mbaj mend kur isha fëmijë, shikoja të gjitha ndeshjet e tyre së bashku me babain tim. Nuk humbisnim asnjë ndeshjet të sezonit, Liverpool është një klub që ka mbetur në zemrën time”, tha Gvardiol për RTL Danas.

Në vijim, Gvardiol foli edhe për interesimin e Chelsea-t duke thënë se ekzistonte një marrëveshje për merkaton e janarit, por që ende nuk ka asnjë lëvizje nga londinezët ndërsa shtoi se ka kohë nëse diçka konkrete do të mund të shfaqet ditët e ardhshme. Kujtojmë se Chelsea para disa ditëve zyrtarizoi transferimin e mbrojtësit francez Benoit Badiashile teksa 120 milionë euro që kushton kartoni i Gvardiol mund të ketë bërë që Blutë e Londrës të heqin dorë nga kroati.