Banorët e fshatit Poçestë dhe Gorazhdec të Pejës, kanë protestuar sot për herë të dytë kundër dislokimit të materieve që ata i quajnë të rrezikshme, nga kompania e naftës ‘Shala Swiss Oil’, respektivisht në pronën që e posedon kjo kompani në fshatin Poçestë.

Banorët e këtyre fshatrave kanë dhënë ultimatum duke thënë se nëse brenda dy ditëve nuk largohen buret me këto kimikale, ata do të bllokojnë rrugën.

Përfaqësuesi i protestuesve, Naim Bytyqi ka thënë për Ballkani.info se në vendimin e prezantuar nga ‘Shala Swiss Oil’, i cili është lëshuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për vendosjen e këtyre kimikateve aty, ka dyshime për falsifikim, andaj sipas tij sot kanë hapur rast në Policinë e Kosovës në Pejë.

“Zona e përcaktuar në vendim del të mos jetë fshati Poçestë, por fshati Radavc, prandaj ne sot i jemi drejtuar Policisë së Kosovës që të sqarojë në detaje vendimin. Po ashtu në vendim flitet për 80 bure, kurse kompania i ka sjellë 200 bure”, ka thënë Bytyqi për Ballkani.info.

Në anën tjetër, Ballkani.info ka kontaktuar me pronarin e ‘Shala Swiss Oil’, Bashkim Shalën, i cili ka mohuar të gjitha akuzat e protestuesve në drejtim të kompanisë së tij.

“Asgjë nuk është e vërtetë, të gjitha këto deklarata po bëhen me qëllim që ta zvarrisin protestën dhe ta zgjasin edhe disa ditë. Ne si kompani nuk kemi marrë ndonjë thirrje apo ftesë nga Policia e Kosovës, por edhe nëse kjo ndodhë, ne e kemi të gjithë dokumentacionin e nevojshëm”, ka thënë Shala.

Tutje, ai ka thënë se kjo procedurë e dislokimit është mbikqyrur për 13 vite nga institucionet në bashkëpunim me FSK-në, KFOR-in dhe OSBE-në, ndërsa tek tash ka ardhur vendimi.

“I gjithë procesi është mbikqyrur tash e 13 vite nga institucionet që i përmenda, dhe nuk bëhet fjalë për kimikate të rrezikshme. Nëse ka pasur ndonjë gabim nga ana e ministrisë, atëherë egzistojnë organe të cilat merren me këtë çështje dhe nuk është përgjegjësi e imja, por për këtë vendim janë në dijeni të gjitha organet kompetente”, ka thënë Shala.

Ndër të tjerash, ai ka theksuar se protestuesit kanë qëllime të tjera kundër kompanisë së tij dhe mund të jenë të nxitur politikisht.

Në fund, ai ka thënë se nesër do të bëhet bartja e materieve nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, dhe vendosja e tyre në një vend ku nuk ka vendbanime përreth një kilometër afërsi. /Ballkani.info