Reagon Muller pasi e humbi rastin e artë për ta mbajtur Gjermaninë në Euro 2020

Thomas Muller e ka pranuar se mundësia e artë e humbur nga ai për të shënuar gol kundër Anglisë e ka bërë të ndihet shumë keq, pasi Gjermania u eliminua nga Euro 2020 si pasojë.

Anglia e mundi 2:0 Gjermaninë të martën Wembley dhe do të përballet me Ukrainën në çerekfinale të shtunën.

Raheem Sterling dhe Harry Kane i shënuan golat e triumfit për skuadrën e Gareth Southgate në fund të pjesës së dytë, por paraprakisht Mulleri e humbi një mundësi të shkëlqyeshme për ta barazuar rezultatin në 1:1.

I gjendur i vetëm përballë portierin Jordan Pickford, sulmuesi i Bayern Munich gjuajti jashtë portës.

Ai e ka vajtuar atë mundësi të humbur, në një reagim në rrjetet sociale një ditë më vonë.

“Kjo ishte ajo, ai çast që të ngulitet në mendje dhe të lë pa gjumë natën”, shkroi Mulleri në Instagram.

“Ai çast për të cilin punon, stërvit dhe jeton. Çasti kur ke mundësi ta barazosh rezultatin për ekipin tënd në një ndeshje shumë të barabartë eliminimi direkt dhe ta lumturosh tërë ekipin kombëtar të futbollit”, shtoi ai.

“Ta kesh këtë mundësi dhe pastaj ta shpërdorosh atë, të dhembë si dreqi”.