Reagon ministrja e Drejtësisë pas arrestimit të policit nga Gjilani që dyshohet se sulmoi seksualisht një të mitur

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas raportimeve se një polic është arrestuar sot pasi dyshohet se ka kryer veprën penale ‘sulm seksual’ ndaj një të miture.

Haxhiu përmes një postimi në Facebook ka thënë se zyrtari i Policisë do të duhej të ishte referencë për sjelljet e secilit qytetar dhe jo të jetë  i përfshirë në dhunime,  siç ka dyshime për dhunimin e një vajze të mitur.

“Policia e Kosovës, përveç mbrojtëse e lirive dhe të drejtave të garantuara, janë edhe shembull i tyre. Zyrtari i Policisë është mbrojtës i të cenuarve dhe jo akter i krimit e dhunimit. Ai do të duhej të ishte referencë për sjelljet e secilit qytetar dhe jo vet i përfshirë në dhunime siç ka dyshime për dhunimin e një vajze të mitur nga zyrtari policor. Organet kompetente menjeherë duhet të ndërmarrin hapat e nevojshëm dhe nëse këto dyshime vërtetohen,  persona të tillë jo vetëm të largohen nga uniforma, por të marrin edhe dënimin e merituar”, shkroi Haxhiu.

Ajo shtoi se abuzuesit e dhunuesit nuk kanë vend në shoqërinë tonë, e aq më pak në institucione.

“Republika e Kosovës duhet të jetë vend i respektimit të lirive dhe drejtave të njeriut ku krimi e dhunimi nuk do të gjejnë vend, ku këto fenomene negative jo vetëm të ndëshkohen por as edhe të stimulohen. Askush nën petkun e zyrtarit nuk guxon të ndihet autonom karshi ligjit. Abuzuesit e dhunuesit nuk kanë vend në shoqërinë tonë, aq më pak në institucione”, shtoi Haxhiu.

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve ditë më herët kishte pranuar një informacion sipas të cilit dyshohej se një zyrtar policor (i Njësisë Rajonale të komunikacionit rrugor në Gjilan) kishte kryer veprën penale “sulm seksual”.

Bazuar në këto dyshime, sot në orët e pasdites është arrestuar zyrtari policor (i cili ishte jashtë detyrës zyrtare) dhe me vendim të prokurorit kompetent të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.