Reagon ministri i PDK-së: S’jemi kundër zgjedhjeve, kërkova vetëm sqarim për buxhetin e zgjedhjeve

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka dhënë sqarime rreth asaj se a është e gatshme PDK-ja të shkojë në zgjedhje.

Kjo pasi që në mbledhjen e sotme të Qeverisë, vetë Tahiri ka thënë se KQZ’ja nuk ka buxhet për të organizuar zgjedhje të reja këtë vit.

Por në saqrimin e dërguar mediave, ai thotë se zgjedhjet janë të pa shmangshme, dhe që patjetër që duhet të mendohet edhe për aspektet që ndërlidhen me to, respektivisht buxhetin.

“Përballë situatës në të cilën gjendemi, ka qenë e nevojshme që krahas zgjedhjeve të cilat janë të pashmangshme, duhet të mendojmë edhe për aspektet operative që ndërlidhen me to, rrjedhimisht buxhetin për zgjedhjet”, thuhet në reagimin e lëshuar nga zyra për media e ministrisë që drejton Tahiri.

Tahiri thotë se fakti që ka drejtuar pyetje rreth procedurave se si mund të shkohet deri tek ndarja e buxhetit për zgjedhje të reja, meqenëse se këtë vit nuk është planifikuar që të ndahen para për një gjë të tillë, është interpretuar si një qëndrim që PDK’ja nuk dëshiron të shkojë në zgjedhje të reja.

“Në këtë drejtim, kam ngritur një pyetje legjitime mbi atë se cilat janë proceduat që duhet ndjekur për të siguruar buxhetin për mbajtjen e zgjedhjeve, përderisa diçka e tillë nuk është e paraparë këtë vit në planin buxhetor për shkak se rëndom viti 2019 nuk është planifikuar si vit elektoral. Kjo është diçka që nuk mund të anashkalohet dhe verifikimi i mandatit të Qeverisë në dorëheqje për të siguruar buxhetin për zgjedhjet është më se i nevojshëm.Por, kjo pyetje legjitime në rangun e disa mediave është interpretuar si qëndrim i Partisë Demokratike të Kosovës, me pretekstin se PDK-ja po përpiqet t’i shmangë zgjedhjet. Realiteti që ndajmë aktualisht ka vetëm dy gjëra që janë të pashmangshme. Faktin se qeveria është qeveri në dorëheqje në njërën anë, dhe faktin se zgjedhjet janë të domosdoshme dhe pa alternativë në anën tjetër”, ka sqaruar Tahiri.

Në fund ai thotë se janë të gatshëm në çdo moment për zgjedhje, dhe për t’i ofruar vendit një qeveri të re.

loading…