Reagon LDK-ja pas sondazhit se do të kenë rënie në zgjedhje, ja çfarë thonë

Një sondazh i publikuar mbrëmë nga “PIPOS”, thotë se LDK humb vendin e dytë dhe zbret për rreth 10 për qind  krahasuar me zgjedhjet e 6 tetorit 2019.

Sipas sondazhit LDK arrinë t’i fitojë 15.7 %, ndërsa vendin e parë është Lëvizja Vetëvendosje me 40.1%, e dyta është PDK me 20.8%.

Por, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk i beson sondazheve të tilla.

Ish- deputeti nga radhët e LDK-së, Naser Rugova ka thënë për Ballkani.info, se ai është i prirë t’i besoj sondazheve të bëra nga organizatat dhe institucionet e profesionalizuara.

Sipas Rugovës, më 14 shkurt do të merren të gjitha përgjigjet.

“Unë jam i prirë të ju besoj sondazheve të bëra nga organizata dhe institucione të profesionalizuara që përdorin metodologji dhe mostra standarde për matje të opinionit, mund të jetë edhe përceptim i krijuar nga rrjetet sociale dhe pjesëmarrja online në këto sondazhe, por të gjitha përgjigjet do të qartësohen nga sovrani më 14 shkurt”, ka theksuar Rugova për  Ballkani.info.

Lidhja Demokratike e Kosovës është në bisedime për një koalicion të mundshëm me Aleancën Kosova e Re. Këshilltari i Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj kishte deklaruar se negociatat e tyre janë avancuar.

Duke folur rreth një koalicioni LDK- AKR për zgjedhjet e 14 shkurtit, Rugova është shprehur për Ballkani.info, se edhe mund të realizohet një koalicion i mundshëm, por sipas tij, LDK duhet të garojë e vetme në zgjedhje.

“Ka bisedime për një koalicion të mundshëm, mbase edhe mund të arrihet, por mendimi im personal si veprimtar dhe anëtar i KP të LDK-së është që ne duhet të garojmë të vetëm në zgjedhje”, ka pohuar Rugova.

Në sondazhin e “PIPOS”, bie në sy fuqia e vogël politike e Vjosa Osmanit nëse garon e vetme, pra vetëm 3.2%, ndërsa AAK-ja e Ramush Haradinajt ka bërë ngritjen më të madhe për dallim nga ai i dy muajve më parë, nga 6.8% në 8.6%./Ballkani.info./

LEXO EDHE KËTË: