Reagon Ismet Munishi pasi u dënua me 1500 euro

Trajneri i Vëllaznimit, Ismet Munishi, është një nga trajnerët më të sukseshëm në futbollin kosovar.

Munishi njihet si trajner që arrin të motivojë futbollistët e tij dhe të nxjerrë maksimumin, duke bërë që të respektojnë fanellën që përfaqësojnë.

Megjithatë, Munishi është një trajner që përjashtohet më së shumti nga gjqytarët për shkak të temperamentit të tij.

Fundjavën e kaluar, ai u përjashtua në ndeshjen që skuadra e tij e fitoi (1:0) ndaj Dritës në çerekfinale të Digitalb Kupës së Kosovës. Munishi u përjashtua për shkak të reagimeve ndaj gjyqtarëve.

Ai është dënuar me 1500 euro, Insporti ka kontaktuar me trajnerin prishtinas, i cili ka deklaruar se do të ankohet në shkallën e dytë dhe se kjo shifër është e madhe për të, pasi paranë e fiton me djersë.

“Ta shohim, se po të kallxoj unë i kam paret me djersë, për mua 1,500 euro janë shumë, kush i ka llogaritë ato nuk e di, ndoshta i ka llogaritë dikush që ka shumë pare, për mua janë 1,500 euro janë shumë, se unë me djersë i fitoj paret”, tha Munishi.

Ai tutje ka shtuar se do të ankohet për këtë vendim dhe se është një nga trajnerët që është dënuar më së shumti.

“E dyta, do të thotë çdo vendim e kam pranu, na kem të drejtë sot të ankohemi në shkallën e dytë dhe më vie mirë që i kam thyer të gjitha rekordet e dënimeve prej trajnerëve, se deri tash jam dënu me 200 ose 300 euro dhe jam bindshëm në vendin e parë. Do të ankohemi për këtë vendim”, përfundoi Munishi.

Munishi këtë sezon synon të shkruajë histori me skuadrën gjakovare, duke kërkuar kualifikimin në Evropë, nëpërmjet fitimit të Kupës së Kosovës.

Vëllaznimi në gjysmëfinale do të takohet me Trepçën ’89.