Reagon Eroll Salihu lidhur me deklaratën e kryetarit të Trepçës 89

Presidenti i Trepçës ’89, Abedin Zeka, tha të premten në emisionin FAVORIT në T7 se vetë sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, ia ka konfirmuar atij se UEFA i ka dërguar Federatës letër për t’ia kërkuar presidentit Agim Ademi largimin nga posti, ose ta zgjidhë problemin me dënimin me burg.

Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, pas deklaratës së kryetarit të KF “Trepça’89” në emisionin sportiv në T7, del me këtë reagim si në vijim:

Me përgjegjësi të plotë konfirmoj se në FFK nuk ka ardhur asnjë shkresë lidhur me Presidentin Ademi e as që kam biseduar me ndonjë zyrtar për këtë gjë, pasiqë vetëm Presidenti dhe KE janë vendimmarrës dhe kompetent për këtë.

UEFA e njeh situatën që nga kuvendi i fundit i cili la përshtypje të keqe te përfaqësuesit e UEFA-s e të FIFA-s dhe ka kontakt të drejtpërdrejtë me Presidentin Ademi dhe ai na informoi se situata do të sqarohet shumë shpejt.

Shpresoj se këto dezinformata mos të përsëriten sepse dëmtojnë besueshmërinë tek njerëzit e futbollit.