Po përballemi me “luftë tregtare”, ka deklaruar shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq pasi që Kosova i vendosi mallrave serbe taksën e plotë 100 për qind.

Ai ka thënë se deri këtu ka ardhur edhe për shkak “të politikës të mos ndërshkimit të Kosovës”.

Daçiq ka thënë se situata është e vështirë, sepse, thotë ai, masa është marrë që të provokohet situatë e rëndë politike dhe reagime, në mënyrë që bashkësia ndërkombëtare të jetë e detyruar t’i pranojë kërkesat e Kosovës, transmeton Ballkani.info.

“Ky nuk është test për Serbinë, por për BE-në, organizatat ndërkombëtare, por edhe fuqitë e mëdha. Prishtina nuk shkon as në ‘toalet’ pa e pyetur dikë nga perëndimi”, ka thënë Daçiq, dikur ministër i Millosheviqit dhe njeri i tij.

“Ky është akt i armiqësisë”, ka shtuar ai.

“Nuk mund të hyjnë në organizatat ndërkombëtare, nuk do të marrin liberalizim të vizave, nuk mund ta detyrojnë Serbinë ta njoh Kosovën, ndërsa po zvogëlohet numri i shteteve që i kanë njohur. Para tri vitesh iu mungonin vetëm tetë vota që hynin në Interpol, kurse sot 36”, ka thënë ai. /Ballkani.info/