1999

Reagojnë të mbijetuarit e masakrës së tregut: Të njëjtit që gjuajtën granatën në Sarajevë, e bënë edhe në Mitrovicë

Vetëm pak ditë para fillimit të bombardimit të forcave të NATO-s mbi Serbinë, forcat kriminale serbe hodhën një granatë në tregun e gjelbër në qendër të qytetit të Mitrovicës të mbushur përplot me njerëz, me ç’rast patën gjetur vdekjen 6 shqiptarë, ndërsa ishin plagosur rëndë mbi 128 të tjerë.

Për qytetin e Mitrovicës dhe qytetarët e saj konsiderohet rasti më i dhimbshëm që kishte ndodhur deri atëherë. Tani gati njëzet vjet më pas, shkrimet në disa mediume serbe gjoja kanë zbuluar autorët e kësaj ngjarje tragjike duke akuzuar vetë shqiptarët se kanë kryer një akt të tillë, ndërsa nuk kanë kursyer as emra politikanësh të lartë kosovarë.

Sipas këtyre shkrimeve të mediumeve serbe, këtë e kanë dëshmuar edhe shumë shqiptarë që ishin pjesë e kësaj masakre dhe që tani janë të gjallë.Të mbijetuarit e kësaj masakre, duke folur për KosovaPress, kanë mohuar kategorikisht këto shkrime, duke vlerësuar se bëhet fjalë për skenarë çfarë dinë të përgatisin vetëm qarqet serbe.

Azem Beqiri nga Mitrovica, njëri nga ata që i shpëtoi vdekjes së kësaj tragjedie, ka potencuar se granatën e kanë hedhur serbët, derisa shkrimet e mediave serbe për kinse autorët shqiptarë i quajti propagandë.Sabedin Uka, po ashtu njëri nga të mbijetuarit e masakrës, tha se granata atë ditë është hedhur nga ushtria serbe me skenar të ngjashëm si në Bosnjë.

Sipas tij, autorët janë të njëjtë dhe për këtë s’ka asnjë dyshim.Edhe Fazli Latifi nga fshati Dedi e Mitrovicës, ka bërë të ditur se masakra e Mitrovicës është e ngjashme me atë të Bosnjës dhe se autorë janë forcat serbe.