Reagojnë kryetarët e komunave: Sulmet e Avni Zogianit të papërgjegjshme, t’i kërkojë falje kryetarit Begaj

Këshilli i Kryetarëve të Komunave të Kosovës kanë reaguar ndaj sulmeve të zëvendës ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit, Avni Zogianit, drejtuar kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begajt.

KKKK thonë se në disa media elektronike dhe në një debat të Radio Televizionit të Kosovës, Zogiani pa të drejtë ka sulmuar kryetarin Begaj lidhur me cështjen e përhapjes së pandemisë së koronavirusit, në Komunën e Malishevës.

Tutje, KKKK thonë se këto sulme janë të pa baza dhe të papërgjegjshme, andaj Zogiani duhet t’i kërkojë falje kryetarit Begaj.

Nëse Zogiani nuk kërkon falje, KKK thonë se do kërkojnë nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, të marrin masa ndaj tij.

“REAGIM — Këshilli i Kryetarëve të Komunave të Kosovës – sulmet e zv.Ministrit Avni Zogjani ndaj Kryetarit të Komunës së Malishevës janë të pa baza dhe të papërgjegjshme, të kërkojë falje ndaj Kryetarit Begaj

Në disa medie elektronike por edhe në një debat në Radio Televizionin e Kosovës, zv.Ministri në detyrë i Infrastrukturës z. Avni Zogjani, pa të drejtë ka sulmuar Kryetarin e Komunës së Malishevës z. Ragip Begaj lidhur me përhapjen e pandemisë COVID-19 në qytetin e Malishevës.

Këshilli i Kryetarëve të Komunave të Kosovës shprehin solidaritetin e tyre me Kryetarin e Malishevës z. Ragip Begaj dhe me qytetarët e Malishevës. Reagimet dhe cilësimet e Zv.Ministrit në detyrë ndaj një Kryetari të zgjedhur të Komunës i gjykojmë të gabuara, pa bazë dhe të dëmshme në këto kohra pandemie. Aq më tepër kur kryetarët e të gjitha Komunave të Kosovës pa dallim po bëjnë punë të madhe në parandalimin e përhapjes së Coronavirus duke qenë dera e parë shtetit për çdo hallë të qytetarëve.

Zv.Ministri Zogjani duhet menjëherë të kërkojë falje, Kryetarit të Malishevës z. Ragip Begaj në të kundërtën, kërkojmë nga Kryeministri Albin Kurti të marrë masa ndaj zv.Minstrit të papërgjegjshëm Avni Zogjani.

Këshilli i Kryetarëve të Komunave të Kosovës”, thuhet në njoftimin e plotë.