Reagimi i tepruar i Maliqit, Rexha deklarohet për kartonin e kuq VIDEO

Feronikeli ka fituar në udhëtim sot ndaj Llapit, 0-1, por një moment tjetër ka marrë vëmendjen nga kjo ndeshje.

Kur po luhej minuta e 43 futbollisti i Feronikelit, Kastriot Rexha u ndëshkua me karton të kuq, pasi e goditi me top kundërshtarin e tij Behar Maliqi, transmeton Koha.net. E Maliqi pasi u godit me top bëri një rrëzim “spektakolar”.

Për këtë rast ka reaguar Rexha përmes një postimi në Facebook.

Ai ka shkruar se përkundër që ishte goditur me këmbë në fytyrë, gjyqtari nuk e ndëshkoi fare Maliqin, e atij i dha karton të kuq për shkak të goditjes me top.

“Pasi që mora goditje me këmbë në fytyrë (ai nuk merr karton) unë e gjuaj me top në këmbë në afekt. Referi vendos të më ndëshkoj me karton të kuq me pretekstin se kam goditur kundërshtarin në fytyrë (gjë që video e konfirmon të kundërtën dhe goditjen timë në këmbë të kundërshtarit me top)”, ka shkruar Rexha. Ai ka falënderuar bashkëlojtarët për përkrahjen pas këtij rasti.

Por, përkundër që ishte më një lojtar më pak në fushë tërë pjesën e dytë, Feronikeli arkëtoi pikët e plota me golin e shënuar Fazliu në minutën e 72.

Më poshtë mund ta shikoni këtë rast.