Reagimi i Neymar kur pyetet për Mbappen bëhet viral

Neymar ka nxitur spekulimet për një përçarje me Kylian Mbappe pasi refuzoi të flasë për marrëdhënien e tij me shokun e skuadrës te Paris Saint-Germain.

Dyshja thuhet se ka një marrëdhënie të ftohtë në Parc des Princes, pavarësisht se kanë shënuar 21 gola mes tyre këtë sezon për Les Parisiens. U pretendua në korrik se si Mbappe dëshironte që ish-ylli i Barcelona-s të shitej këtë verë për shkak të mungesës së tij të “disiplinës”.

Dhe më pas u raportua se si PSG e kishte nxjerrë Neymar në shitje pas rinovimit milioner dhe afatgjatë të Kylian Mbappe. Dy lojtarët kanë qenë protagonistë të një përplasje në fushë për shkak të një penalltie, ku u përfshinë në një grindje se kush duhet të ekzekutonte goditjen nga pika e bardhë kundër Montpellier.

Pas ndeshjes, Neymar pëlqeu shumë postime në Twitter që kritikonin vendimin e PSG-së që ish-ylli i Monaco të ekzekutonte penallti përpara tij. Kishte më shumë dramë në fushë në fillim të këtij muaji kur Neymar u zemërua me Mbappe pasi francezi nuk ia pasoi topin, duke i hequr mundësinë të kompletonte tregolëshin.

Mbappe foli për miqësinë e tij me Neymar në fillim të shtatorit, pasi pranoi se ka “momente të ftohta” me ish-yllin e Santos. Neymar u pyet për marrëdhënien e tij me fituesin e Kupës së Botës 2018 pasi ai ndihmoi Brazilin të mposhtte Ganën 3-0 të premten mbrëma. Kur u pyet në lidhje me marrëdhënien me Mbappe, Neymar tha: “Nuk e kuptoj”.

Më pas shtoi: “Me Kylian?”. Pasoi një psherëtimë e shkurtër, ku më pas tha: “Nuk e kuptoj”.

Neymar më pas zgjodhi të largohej nga intervista pasi nuk pranoi të fliste më shumë për shokun e tij të skuadrës. Komentet e tij vijnë vetëm një ditë pasi Mbappe zbuloi se ai gëzon më shumë liri në fushë me Francën sesa te PSG me Neymar dhe Lionel Messi.