Kosova dje ka përjetuar një tragjedi të rëndë, 26 vjeçari nga Gjilani ka kërcyer nga kati i pestë i konviktit numër 7, në Qendrën e Studentëve, i cili është dërguar në QKUK, por fatkeqësisht pa shenja jete.

Sipas raportimeve të para thuhet se i riu gjilanas kishte dëshmuar se ka probleme shëndetësore me të arritur në Kosovë pas kërkesës së bërë nga familjarët e tij, por që pavarësisht kësaj i ishte kërkuar që të futej në karantinë.

Madje dëshmitarë të cilët qëndruan me të e thanë të njëjtën gjë, duke shtuar se ai ua kishte vërtetuar institucioneve përgjegjëse këtë gjë.

Menjëherë pas lajmit tragjik kishte reagime të shumta duke filluar nga presidenti dhe të gjitha subjektet opozitare, të cilat kërkonin urgjentisht të hetohet dhe të zbardhen rrethanat e vdekjes së 26 vjeçarit.

Ishte kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri që dha detaje shtesë lidhur me rastin që vinte nga qyteti i tij,

Ai tha se Agron Musliu ishte një student i shkëlqyer i masterit në Gjermani.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nëpërmjet Facebookut ka reaguar duke kërkuar përgjegjësi nga institucionet dhe zbardhje sa më të shpejtë të rastit.

“Si president i vendit kërkoj përgjegjësi nga institucionet përkatëse, të cilat e kanë përcjellë gjendjen e këtij të riut dhe kanë vendosur që ai t’i nënshtrohet karantinimit të detyrueshëm në Qendrën e Studentëve, duke mos qenë më pas në gjendje që t’ia ofrojnë kujdesin e nevojshëm dhe meritor”, shkroi Thaçi.

Kryetari i PDK’së Kadri Veseli ka kërkuar hetim dhe përgjegjësi nga institucionet përgjegjëse. Veseli ka thënë se i ndjeri ishte nën kujdesin e instituciomeve të shtetit, andaj, ai tha se është e domosdoshme që organet e drejtësisë të nisin menjëherë hetimet.

“Humbja tragjike e jetës së këtij të riu është një akt i rëndë dhe që mbart përgjegjegjësi shtetërore, duke qenë se i ndjeri ishte nën kujdesin e institucioneve të shtetit. Andaj, është e domosdoshme që organet e drejtësisë të nisin menjëherë hetimet”, u shpreh kreu i PDK-së.

Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje që sa më parë të zbardhen rrethanat e vdekjes së të riut nga Gjilan. Ai ka shtuar se institucionet e Kosovës duhet të ishin më vigjilente që tragjedi të tilla nga pakujdesia dhe indiferenca të mos ndodhin.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lideri i AKR’së, Behgjet Pacolli ka shprehur ngushëllime në drejtim të familjes së të riut që humbi jetën në rrethana tragjike tek Qendra e Studentëve.

Behgjet Pacolli tha se duhet dhënë përgjegjësi udhëheqësit e institucioneve përkatëse, të cilët në mënyrë të detyrueshme e kanë mbajtur të riun në karantinë.

“Duhet dhënë përgjegjësi udhëheqësit e institucioneve përkatëse, të cilë në mënyrë të detyrueshme e kanë mbajtur të riun në karantinë. U prehtë në paqe bashkë-qytetari ynë, të cilin shteti i tij nuk qe në gjendje ti ofrojë kujdes”, tha Pacolli.

Sidoqoftë, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ende nuk ka thënë asnjë fjalë rreth rastit. Po ashtu, ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla end e nuk ka bërë të ditur se kush po heton rastin dhe a do të ketë përgjegjës për vdekjen e të riut.

26-vjeçari kishte ardhur dje nga Gjermania dhe kishte rezistuar të futej në karantinë për shkak të problemeve shëndetësore.

Ndërsa një dëshmitar i cili po ashtu është në karantinë në Qendrën e Studentëve, ka tronditur opinionin duke thënë se 26 vjeçari, ua kishte vërtetuar institucioneve përgjegjëse këtë gjë. 26-vjeçari kishte ardhur dje nga Gjermania dhe kishte rezistuar të futej në karantinë për shkak të problemeve shëndetësore.

“Ne ishim nëpër dhoma, ku duhet të qëndrojmë si zakonisht. Papritmas vjen një punëtor i imi pasi që ne jemi një staf që kemi ardhur ditën e enjte dhe më tha: eja, shiko çfarë ka ndodhur. Kur u afrova te dritarja, e pash që kishte kërcyer nga kati i katërt i konviktit numër shtatë një person. Personi që ka kërcyer nga qendra e konvikteve ka ardhur dje nga Gjermania. Ai ka rezistuar që të mos futet në konvikt për shkak se sipas informatave ka pasur probleme shëndetësore. Ai ia ka treguar dokumentet policisë për problemet që ka, por askush nuk është marrë me kërkesën e tij”, tha ai. Musliu ishte fëmija i vetëm i familjes e lidhur me vdekjen e tij ngushëllime shprehën shumë udhëheqës institucionesh, familjarë e qytetarë të vendit që padyshim me shumë dhimbje pranuan lajmin për vdekjen e tij